Gjatë një dasme, njëri nga të pranishmit e pa mësuesin e tij, i cili e kishte mësuar në shkollën fillore rreth tridhjetë e pesë vjet më parë. U nis në drejtim të tij me shumë mall e mirënjohje, e përshëndeti ngrohtësisht dhe pastaj i tha me turp, të përzier me ndjenjë sikleti: “Mësues, a më mbani mend?!
Mësuesi i moshuar buzëqeshi dhe tha: Jo, bir, më vjen keq, por nuk më kujtohesh.
Pastaj nxënësi, me zë të ulët, tha: Si nuk më mbani mend? Unë jam ai nxënësi që ia vodhi orën shokut të klasës…
Kur pronari i orës filloi të qante, ju kërkuat që të ngriheshim në këmbë për të na kontrolluar xhepat.
Isha i bindur se do të më zbuloni dhe se reputacioni im do të shkatërrohej përgjithmonë dhe do të bëhesha objekt talljeje e urrejtje.
Kur erdhi radha tek unë, ju e nxorët orën nga xhepi im pa e vënë askush re. Pastaj vazhduat t’i kontrolloni edhe të tjerët deri në fund.
Kur mbaruat me kontrollin, na thatë të ktheheshim nëpër banka. Dridhesha nga frika, mendoja se do të më turpëronit para të gjithëve. Ndërsa ju thjesht e nxorët orën dhe ia kthyet pronarit të vet pa e përmendur emrin tim dhe pa bërë as edhe një vërejtje të vetme.
Që nga ajo ditë, kurrë nuk më qortuat dhe nuk i treguat askujt. Më trajtuat si të gjithë fëmijët e tjerë. Dhe pikërisht për këtë, vendosa që kurrë më të mos bëjë ndonjë veprim të tillë, sado i vogël të jetë. A është e mundur që, pas gjithë kësaj, të mos mbani mend kush jam?!
Mësuesi i vuri dorën mbi shpatull, buzëqeshi butë dhe tha: Bir, e mbaj mend mirë atë ngjarje dhe atë ditë kur u vodh ora. Qëllimisht kërkova që t’i mbyllnit sytë, që të mos turpërohej vjedhësi.
Por ajo që ti nuk e di është se, gjatë kontrollit edhe unë i mbylla sytë. Nuk desha të di kush ishte fajtor, që zemra ime të mos mbante barrë ndaj tij.
Urtësia:
I tillë është mësuesi. Ai të edukon para se të të mësojë. Të mbron dhe të mbulon para se të të ndëshkojë. Dhe në heshtje në zemrat e nxënësve të tij mbjell ndërgjegje. Mësuesi nuk është vetëm ai që transmeton dije; mësuesi është ai që ndërton fërmimin e njeriut. Ai nuk e poshtëron duke e ndëshkuar, por e mbron për ta përmirësuar. Nuk kërkon fajtorin, por e zgjon ndërgjegjen. Njerëzit e tillë nuk lënë gjurmë në fletore, por në zemrat e nxënësve të tyre.
Dhe prandaj mësues i vërtetë është ai që të mëson të jesh më i mirë se sa ke qenë, edhe atëherë kur askush nuk të sheh.
[Xhamia R4bia]