Fshi gjurmët e së kaluarës së errët dhe hape një faqe të pastër në jetën tënde!

Çdo çast i kaluar pranë njerëzve të devotshëm, të moralshëm dhe me vlerë, të kujton se sa shumë kohë ke humbur me njerëz që nuk të sjellin aspak dobi dhe të largojnë nga All-llahu. Prandaj, me kujdes të veçantë zgjidhi shoqëruesit e tu, sepse shoqëria e mirë paraqet në nga dhuntitë më të mëdha, ndërsa shoqëria e keqe është prej sprovave më të rënda që pa e kuptuar ta vjedhin jetën.

Suksesi në jetë nuk qëndron në punën e pandërprerë për realizimin e ëndrrave tua, por në ekuilibrin mes përpjekjes dhe pushimit, sepse edhe pushimi paraqet ibadet kur e bën me qëllim të pastër. Në qetësinë e shpirtit All-llahu hap dyer të reja të mendimit, frymëzimit dhe urtësisë.

Emocionet pozitive janë si mysafirë të nderuar që vijnë shkurt, ndërsa ato negative janë si vizitorë të padëshiruar që qëndrojnë shumë. Prandaj, mos e lidh lumturinë tënde vetëm me arritjen e një qëllimi, sepse ai paraqet një çast të shkurtër. Lidhe lumturinë tënde me çdo frymëmarrje që ta jep All-llahu, me çdo mëngjes që të gjen gjallë dhe me çdo mundësi për të bërë mirë.

Thelbi i jetës është të jesh falënderues, i qetë dhe i lidhur me All-llahun gjatë gjithë ditës. Nëse zemra jote është e rënduar, e trishtuar dhe e mbyllur, kjo tregon se ende nuk e ke shijuar ëmbëlsinë e mbështetjes tek All-llahu dhe nuk e ke kuptuar se si jetohet me Atë.

Dështimi yt nuk të dënon, sepse nuk ka prova kundër teje. Ndërsa frika jote nga dështimi paraqet zinxhir që e ke varur në qafë. Lirohu prej tij dhe mbështetu tek Ai që i hap rrugët edhe aty ku mendja nuk sheh asnjë rrugëdalje.

Mos e tepro duke thënë se je ndryshuar “360 gradë”, sepse kjo do të thotë se je kthyer aty ku ishe. Ndryshimi i vërtetë është kthimi tek All-llahu, pendimi i sinqertë dhe ecja drejt Tij me hapa të vogël, por të qëndrueshëm.

Sa herë që zgjohesh në mëngjes, dije se All-llahu të ka dhënë një ditë të re për të bërë vepra të mira, për ta përmirësuar veten dhe për ta fituar Ahiretin. Mos të shkojë huq kjo dhuratë e madhe.

Mos mendo se rruga e të tjerëve është edhe rruga jote. All-llahu të krijoi unik, me një shteg të veçantë, me një kader të posaçëm. Ec në rrugën tënde me sinqeritet dhe mbështetje tek All-llahu, sepse ajo rrugë është e shkruar për ty dhe vetëm për ty.

Edhe sikur të gjitha llogaritjet e dynjasë të thonë se nuk do t’ia arrish, mos harro se llogaritjet e qiellit janë të ndryshme. Aty ku njerëzit shohin përfundim të rrugës, All-llahu hap shtigje që askush nuk i kishte menduar.

Mendo mirë për njerëzit, sepse kjo është një prej shkaqeve më të mëdha të qetësisë së zemrës. Dyshimi i tepruar paraqet helm për shpirtin.

Njerëzit më të lumtur janë ata që nuk e bartin peshën e së kaluarës së tyre negative. Prandaj, hiqe nga jeta memorien e së kaluarës negative dhe fillo një kapitull krejt të ri – një jetë të re me zemër të pastër, me shpresë tek All-llahu dhe me besim se e ardhmja jote është në dorën e Tij.

Përshtatje,
[Xhamia R4bia]