Medhhebi Hanefi dhe paraqitja e shtrembërimeve në kohën tonë

Që nga dita kur këmba e Osmanlinjve shkeli në tokën e Gadishullit Ballkanik, e kemi ndjekur medhhebin Hanefij dhe akiden e Maturidiut. Në mënyrë rigoroze u jemi përmbajtur këtyre drejtimeve, sepse e kemi ditur se medhhebi Hanefi në fikh, e ka shpjeguar më së miri dhe më saktë jetën e përgjithshme të muslimanëve. Në akide u jemi përmbajtur shpjegimeve Maturidiane të akides së Pejgamberit, i cili me forcën e argumentimit të tij, me qindra herë dëshmoi se është në të vërtetën dhe rrugën e projektuar nga vetë Pejgamberi sal-All-llahu alejhi ves-selem.

Nuk kishte nevojë që më thellë të shpjegojmë dhe të paraqesim argumentet e besimit dhe drejtimit tonë në fikh. Mirëpo, para disa vitesh në hapësirat tona erdhi një drejtim i ri. Erdhën vehabitë, të cilët filluan të ftonin në të kundërtën e asaj që ne besuam me shekuj. Filluan të flasin se esharitë dhe maturiditë janë në rrugë të gabuar dhe të devijuar, e as medhhebi ynë në fikh nuk u kursye aspak nga kritikat e tyre. Filluan të thonë se hanefitë nuk kanë argumente të haditheve për veprimet e tyre, se Ebu Hanifja ka ditur vetëm disa hadithe, e të ngjashme.

Ulematë me vite kanë heshtur, duke konsideruar se mësimi i tyre nuk paraqet problem për ne, sepse ata kryesisht ishin djem nga rruga të cilët hynin në xhami nga dëshira për t’i shprehur qëndrimet dhe idetë e tyre, e ata nuk ishin të njoftuar me metodën e argumentimit në Islam. Ngadalë u përhapën dhe idetë e tyre pak nga pak u futën në popull.

Thirrja e tyre për ta refuzuar shkencën, dijetarët tradicionalë dhe të verifikuar të medhhebit Hanefij dhe çdo gjë që nuk ishte vehabite ngadalë dha fryt. Krahas gjithë kësaj, ata me këmbëngulje thoshin se vetëm drejtimi i tyre në Islam ishte i drejtë, e çdo gjë tjetër krahas kësaj ishte risi-bidat dhe devijim. I bënin për vete njerëzit e thjeshtë, të pashkolluar dhe djemtë e rrugës duke iu thënë atyre se Islami ishte diçka e thjeshtë, diçka që çdokush mund ta kuptonte me disa broshura vehabite që u jepeshin falas dhe kështu mund të arrijnë shkallën e “shejhut”, duke e ndjekur në qëndrimin e vet orientalistin gjerman, hebreun dhe armikun e Islamit Joseph Schachtin.

Sot pothuajse nuk ka xhematë në botë e as në vendin tonë, e në të, të mos vëresh idetë e ‘shejhëve’ me orientime vehabite. Me vite kemi heshtur, por, heshtjes i ka ardhur fundi. Dijetarët e kanë për detyrë t’i përgjigjen çdo lajthitjeje që paraqitet në kohën dhe vendin ku ata jetojnë. Vetëm me xhematë të fortë, me besim të fortë në Zotin dhe me program të qartë në jetë, përsëri mund të ngrihemi në shkallën në të cilën kemi qenë para se vehabitë, me ndihmën e aleatëve të tyre nga Anglia të arrin ta rrëzojnë halifatin në Stamboll.

Për ta arritur këtë qëllim, duhet patjetër t’i mbyllim vrimat përmes të cilave ata na sulmojnë. Ne duhet në mënyrë të argumentuar ta sqarojmë çdo detaj, edhe atë më të imëtin, i cili u bë objekt i sulmit të vehabive dhe objekt i tërheqjes së njerëzve nga Islami burimor ku kemi qenë me qindra vjet para paraqitjes së këtij sekti.

Artikullin e kemi ndarë në disa pjesë. Disa e shpjegojë akiden e Ehli Sunneh vel-Xhematit, në të gjitha çështjet të cilat, me veprimet vehabite, u bënë të dyshimta dhe të paqarta, përfshirë këtu edhe sqarimin e ajeteve e haditheve të paqarta nga dijetarët më të mëdhenj të ummetit islam. Duke shfrytëzuar rreth njëmijë vepra më të njohura nga të gjitha fushat islame, kemi dhënë përgjigje për shumë çështje të paqarta, ndërsa përgjigje për çështjet e mbetura, të gjithë ju mund t’i nxirrni në bazë të rregullave që i ka vendosur ulemaja islame në shpjegimin e Islamit, e të cilat ju, me ndihmën e All-llahut, duke lexuar do t’i njihni në mënyrë graduale. Pjesa tjetër ka të bëjë me çështjet në lidhje me fikhun. Në të, kryesisht, vetëm i kam përmendur ajetet dhe hadithet, që shfrytëzohen si argumente në medhhebin Hanefi, duke mbështetur parimin e dhënë në titull me fjalimin e dijetarëve më të mëdhenj nga të katër medhhebet.

Vehabitë, natyrisht, do të përpiqen në çdo mënyrë t’i rrëzojnë disa gjëra të shpjeguara në këto artikull, edhe pse çdo gjë në të është e vërtetuar me fjalët e numrit më të madh të dijetarëve. Vëlla i dashur, për t’ju treguar intrigat që i shfrytëzojnë vehabitë në përpjekjet e tyre për t’i larguar njerëzit nga besimi në All-llahun, i Cili është i Lartësuar dhe i pastër nga të gjitha mangësitë, do t’ju përmendim disa nga metodat dhe idetë e tyre që do të njiheni më mirë me rreziqet që fshihen pas vehabizmit. Veç kësaj, në ndonjë nga artikujt vijues do të bëjmë krahasim mes mësimeve vehabite dhe të ehli sunnetit përmes haditheve të të Dërguarit të All-llahut, a.s.

Autor: Sami Xheko
Vijon…
[xhamia R4bia]