Ushqeji të uriturit dhe ndihmoji nevojtarët

Gëzimi është i tillë që sa më shumë të japim – aq më shumë fitojmë. Gëzimi lind pikërisht nga vetë akti i dhënies!

I Dërguari i All-llahut, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, ka thënë:

“Kur gatuan ushqim (qoftë supë apo diçka të ngjashme), shto edhe pak ujë në të, pastaj shiko në çfarë gjendje janë fqinjët e tu dhe dërgoju edhe atyre prej saj…” (Ibën Maxheh)

Kjo pjesë e shkurtër e thënies edukativo-këshilluese e të Dërguarit të All-llahut, paqja qoftë mbi të, na udhëzon në rëndësinë e kujdesit ndaj fqinjëve, veçanërisht ndaj atyre që janë të varfër apo nevojtarë.

Po ashtu, i Dërguari i All-llahut, paqja qoftë mbi të, ka thënë:

“Xhibrili më këshilloi aq shumë për fqinjët, saqë mendova se fqinjët do ta trashëgojnë njëri-tjetrin!” (Muttefekun alejhi)

Hadithi i sipërshënuar flet për rëndësinë e sigurimit të ushqimit dhe nevojave themelore të jetesës për të gjithë në shoqërinë tonë. Besimtarët duhet të jenë aktivë sipas mundësive. Vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësohet e gjithë shoqëria.

Populli ynë ka thënë bukur: “Ate që e hedh në ujë, do ta gjesh përgjatë lumit!” Dhe vërtet, jeta është si një bumerang i dyfishtë: gjithmonë na kthehet ajo që japim. Si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.

Një nga veprat më të dobishme padyshim është ushqimi i të uriturve, shuarja e etjes së të eturve, ndihma e të prekurve nga fatkeqësitë, shërimi i të sëmurëve…

Pra, çdo vepër e dobishme dhe fisnike do të na kthehet në të dy botët shumëfish! Duke u ndihmuar të tjerëve – ne i japim dhe i ndihmojmë vetes tonë!

Zemra e mbushur me mëshirë ndaj të tjerëve pëlqehet nga të gjithë. Pra, shërbimi ndaj të tjerëve është një nga mënyrat më të mira për ta përmirësuar veten dhe gjendjen e shoqërisë ku jetojmë dhe punojmë. Ndërsa ndiejmë dhembshuri për të tjerët, e ndryshojmë botën e tyre për më mirë!

Njerëzit më të mëdhenj në historinë njerëzore ishin ata jepnin më shumë, dhe jo ata që merrnin. Prandaj thuhet se lumturia qëndron në dhënie dhe jo në marrje. Fatkeqësisht, në kohën tonë sukses konsiderohet aftësia për të mbledhur, duke shumëfishuar dhe ruajtur sa më shumë pasuri materiale. Kjo paraqet një mashtrim të madh.

Pejgamberi i All-llahut, salallahu alejhi ve selem, na paralajmëron për këtë dhe thotë:

“Po t’i jepet një njeriu një luginë ari, ai do ta dëshironte edhe një tjetër! Asgjë nuk do ta mbushë gojën e njeriut përveç dheut!” (Buhariu dhe Muslimi)

Shihet se në natyrën e njeriut është dëshira që të ketë sa më shumë. Kundër këtij vesi duhet të zhvillojmë cilësi dhe veti pozitive dhe të dobishme.

Më të mirët janë ata që u shërbejnë më shumë të tjerëve. Edhe pse kemi fatkeqësi dhe sprova të ndryshme, ne kemi mundësi ta ndihmojmë njëri-tjetrin.

Pejgamberi i All-llahut, salallahu alejhi ve selam, thotë:

“Pasuria nuk pakësohet me dhënien e sadakasë!” (Muslim)

Pejgamberi i All-llahut, salallahu alejhi ve selam, na fton të japim dhe të ndihmojmë sa më shumë. Përmes dhënies ta kërkojmë lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Dhe me të vërtetë, shohim se ata që japin dhe ndajnë më shumë, mbeten financiarisht më të suksesshëm dhe vazhdojnë të arrijnë suksese të mëtejshme!

Një nga qëllimet e ekzistencës sonë në këtë botë është të bëjmë mirë dhe t’u shërbejmë atyre që kanë nevojë në çdo formë. Në këtë mënyrë ndihmojmë që bota të bëhet një vend më i mirë.

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selam, na mëson: “Dora që jep është më e mirë se ajo që merr!

Shumë hadithe na motivojnë që lumturinë dhe kënaqësinë ta kërkojmë në ndihmën e të tjerëve. Shkencërisht është dëshmuar se ekziston lidhja midis lumturisë dhe ndihmës ndaj të tjerëve. Duke i ndihmuar njerëzit, ne i forcojmë lidhjet tona me ata dhe e përmirësojmë perceptimin që ata kanë për ne dhe ne për ata.

Pejgamberi i All-llahut, salallahu alejhi ve selam, ka thënë:

“Me të vërtetë kjo pasuri është e bukur dhe e ëmbël; kush e fiton me dorë bujare dhe zemër të madhe, do të jetë i begatë, e kush e merr për t’u ngritur personalisht, nuk do të jetë i begatë dhe do të jetë si ai që ha, por nuk ngopet.” (Buhariu)

Përshtatje.
Autor: Esmir M. Haliloviq