Abdullah ibn Amr ibn As, All-llahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se i Dërguari i All-llahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kënaqësia e All-llahut është në kënaqësinë e prindërve, dhe hidhërimi i All-llahut është në hidhërimin e prindërve.”
Me kënaqësinë njerëzore nënkuptohet qetësia dhe paqja e njeriut gjatë kryerjes së një vepre, mbushja e zemrës me gëzim për shkak të një vepre etj. Kështu, kur i bindesh prindërve të tu dhe ata gëzohen për bindjen tënde, kjo është shenjë e kënaqësisë së tyre.
Megjithatë, është e domosdoshme të theksohet se bëhet fjalë për bindje në gjërat e lejuara, sepse ka prindër që gëzohen dhe janë të kënaqur me mëkatin, ndërsa mërziten dhe zemërohen për shkak të devotshmërisë dhe fesë së fëmijëve të tyre. Në një rast të tillë, është rreptësishtë e ndaluar të kërkohet kënaqësia e tyre, të përpiqesh t’i kënaqësh apo t’i gëzosh me atë që ata kërkojnë, sepse e drejta e All-llahut është më e madhe se e drejta e tyre, dhe me këtë nuk arrihet kënaqësia e All-llahut, por zemërimi i Tij.
Gjithashtu duhet theksuar se prindërit kanë të drejtë të zemërohen dhe mos kënaqen vetëm në rastet kur nuk u bëhet ajo që është në dobinë e tyre, pra bindja ndaj prindërve është e detyrueshme vetëm në atë që u sjell atyre dobi dhe nuk i shkakton dëm fëmijës apo dikujt tjetër. Nuk lejohet t’i bësh dobi njërit duke i shkaktuar dëm tjetrit. Për shembull, nëse prindërit i thonë fëmijës: “Mos kërko dije, mos u shoqëro me njerëzit që shkojnë në xhami; nëse e bën këtë, do të zemërohemi me ty”, a duhet fëmija t’i bindet prindërve në këtë? Jo, nuk duhet, sepse në atë që bën fëmija nuk ka dëm për prindërit, ndërsa ka dobi për fëmijën.
Porositë e hadithit
- Hadithi është dëshmi e qartë për vlerën e madhe të bamirësisë ndaj prindërve, përpjekjes për t’i kënaqur dhe për t’u sjellë gëzim në zemrat e tyre, sepse kënaqësia e All-llahut kushtëzohet me kënaqësinë e tyre.
- All-llahu i Madhëruar do të jetë i kënaqur me besimtarin me të cilin janë të kënaqur prindërit e tij.
- All-llahu i Madhëruar ka urdhëruar bamirësi ndaj prindërve; kështu, ai që u bën mirë atyre, e kënaq All-llahun, ndërsa ai që u bën keq, e ka zemëruar Atë.
- Hadithi është argument për detyrimin e bamirësisë ndaj prindërve dhe ndalimin e mosbindjes ndaj tyre, sepse kënaqësia e tyre nuk arrihet plotësisht pa sjellje të mirë ndaj tyre.
- Bindja ndaj prindërve vlen vetëm në të mirë; nuk ka bindje ndaj tyre në mosbindje ndaj All-llahut. Sepse i Madhëruari ka thënë: “E nëse ata të detyrojnë të Më shoqërosh Mua atë për të cilin ti nuk ke dije, mos iu bind.” (Lukman, 15). I Dërguari i All-llahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Nuk ka bindje në mëkat; bindja është vetëm në të mirë.” (Buhariu, nr. 7257; Muslimi, nr. 1840)
- Shumica e dijetarëve mendojnë se nëna ka përparësi ndaj babait në bamirësi, sepse këtë e ka treguar vetë i Dërguari i All-llahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
- Hadithi pohon cilësitë reale të kënaqësisë dhe zemërimit të All-llahut të Madhlruar, ashtu siç i takon vetëm Atij, dhe se ato nuk i ngjajnë dashurisë, urrejtjes, kënaqësisë apo zemërimit të krijesave, sepse cilësitë e All-llahut janë të përsosura. All-llahu i Lartësuar ka thënë: “Asgjë nuk është si Ai.” (Esh-Shura, 11)
Disa nga shkaqet me të cilat arrihet kënaqësia e All-llahut
- Kënaqësia e prindërve, ashtu siç përmendet në këtë hadith të këtij kapitulli.
- Sinqeriteti. All-llahu i Madhëruar ka thënë: “All-llahu ka thënë: ‘Kjo është Dita kur sinqertët do të përfitojnë nga sinqeriteti i tyre; për ta janë Xhennetet nën të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. All-llahu është i kënaqur me ta, e edhe ata janë të kënaqur me Të — ky është shpëtimi i madh.’” (El-Maide, 119)
- Pasimi i të parëve, muhaxhirëve dhe ensarëve, si dhe atyre që i pasojnë ata në mënyrë të bukur. All-llahu i Madhëruar ka thënë: “Ndërsa të parët — muhaxhirët dhe ensarët — dhe ata që i pasojnë ata në mënyrë të mirë, All-llahu është i kënaqur me ta, e edhe ata janë të kënaqur me Të.” (Et-Tevbe, 100)
- Falënderimi ndaj All-llahut për begatitë e Tij. All-llahu i Madhëruar ka thënë: “E nëse jeni mirënjohës — Ai do të jetë i kënaqur me ju.” (Ez-Zumer, 7)
- Dashuria për hir të All-llahut dhe urrejtja për hir të Tij janë themeli i kënaqësisë së All-llahut. Kjo do të thotë që muslimani duhet të dojë për hir të All-llahut, të dojë atë që e do All-llahu dhe atë që e do fenë e Tij; dhe të urrejë atë që e urren All-llahu dhe atë që lufton kundër fesë së Tij. Ai duhet të jetë i afërt me besimtarët dhe t’i ndihmojë ata, ndërsa të përçmojë dhe të urrejë hipokritët. All-llahu i Madhëruar ka thënë:
- “Nuk do të gjesh popull që beson në All-llahun dhe në botën tjetër, e që të duan ata që i kundërvihen All-llahut dhe të Dërguarit të Tij, qoftë edhe nëse janë etërit e tyre, ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Për këta Ai ka shkruar besimin në zemrat e tyre dhe i ka forcuar me një shpirt prej Vetës së Tij. Dhe do t’i fusë në Xhennete nën të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. All-llahu është i kënaqur me ta, e edhe ata janë të kënaqur me Të — ata janë pala e All-llahut! Vërtet, pala e All-llahut — ata janë të shpëtuarit.” (El-Muxhadele, 22)
E gjithë lavdia, e plotë dhe e përsosur, i takon vetëm All-llahut. Paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e All-llahut, mbi familjen e tij fisnike, mbi të gjithë shokët e tij dhe mbi pasuesit e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Përshtatje: Redaksia
[http://www.xhamiarabia.info]