All-llahu i Madhërishëm thotë: “O besimtarë, kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz.” (El-Bekare, 153)
Nëse të kaplon frika, nëse të rëndon trishtimi, ose nëse zemra të shqetësohet për diçka, ktheju menjëherë namazit. Me lejen e All-llahut, namazi e qetëson shpirtin dhe largon brengën e pikëllimin. Kur i Dërguari i All-llahut, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, përballej me diçka që e shqetësonte, ai thoshte: “O Bilal! Thirre ikametin (për namaz) dhe na qetëso me të! Namazi ishte gjëja më e dashur për të; aty gjente lumturi të pashpjegueshme dhe qetësi të thellë.
Në jetëshkrimet e besimtarëve më të dalluar kam lexuar që sa herë i godiste ndonjë sprovë apo vështirësi, ata nxitonin të falin namaz me përulësi. Dhe pas namazit, u kthehej forca, vetëbesimi dhe ringjalleshin ambiciet e tyre.
Brezi i sotëm, i lodhur dhe ngarkuar nga sëmundjet dhe shqetësimet shpirtërore, duhet të kthehet në xhami. Secili prej nesh duhet të bjerë në sexhde para All-llahut — para së gjithash për ta kënaqur Atë, e pastaj për t’u çliruar nga mundimet e brendshme.
Përndryshe, lotët do ta marrin hakun e tyre, ndërsa trishtimi do ta shkatërrojë njeriun nga brenda. Dijeni se forca, qetësia dhe siguria vijnë vetëm përmes namazit.
Po të mendonim më thellë, do ta kuptonim se një nga begatitë më të mëdha të All-llahut është pikërisht mundësia për t’i falur pesë kohët e namazit. Përmes namazit, All-llahu na falë mëkatet, na ngre në shkallë të larta, na shëron nga sëmundjet e zemrës, na ngushëllon në sprova, na pastron shpirtin, na jep bindje dhe kënaqësi të brendshme.
Autor: Aid el-Karni
Përshtatje në gjuhën shqipe.
Redaksia,
[www.xhamiarabia.info]