Beteja e Bedrit – 17 Ramazan, viti 2 hixhri

Beteja e Bedrit ishte beteja e parë e madhe në historinë e Islamit, e zhvilluar më 17 Ramazan të vitit 2 Hixhri. Aty u përballën 313 muslimanë me më shumë se 1000 mushrik Kurejshit, nën udhëheqjen e Ebu Xhehlit… dhe në fund, me ndihmën e All-llahut të Madhëruar, fitorja u takoi muslimanëve.

Çfarë mësojmë nga Beteja e Bedrit?

1. Ki bindje të vërtetë (jekin) në ndihmën e All-llahut të Madhëruar

Në fushën e betejës, All-llahu i Madhëruar dërgoi shi për ta zbutur tokën mbi të cilën udhëtonte i Dërguari i All-llahut ﷺ dhe ushtria e tij, duke i bërë hapat e atyre dhe të kafshëve më të sigurt. Ndërsa mushrikët e Mekës u përballën me baltë dhe vështirësi, sepse rruga e tyre u dëmtua nga uji.

Ky është kujtim i qartë se All-llahu i Madhëruar gjithmonë hap rrugë drejt suksesit për atë që plotësisht mbështetet tek Ai dhe ka besim të palëkundur në ndihmën e Tij.

2. Mbështetu (Tevekkul) tek All-llahu i Madhëruar: Mos kërko justifikime

Kjo betejë ishte te vendi ku muslimanët e parë e mësuan fuqinë e mbështetjes së palëkundur tek All-llahu i Lartësuar. Aty Ai i udhëzoi dhe i edukoi, duke ua mësuar rrugën e mbështetjes (tevekkulit) të sinqertë. Ai dërgoi melek nga bota e padukshme për t’u dhënë forcë besimtarëve dhe për ta përmbushur urdhrin e Tij.

Ky ishte realizim i premtimit Hyjnor për t’u dhënë qetësi atyre që kanë besim të palëkundur:

“Kur Ai ju mbuloi me qetësi prej Tij, si siguri.” (El-Enfal, 8:11)

3. Fitorja vjen vetëm prej All-llahut të Madhëruar

Një nga shenjat e tevekkulit të shokëve të Pejgamberit ﷺ ishte besimi i tyre i plotë se mund ta përballonin një ushtri shumë më të madhe, pavarësisht dallimit numerikisht të madh. Pikërisht në fushën e betejës u shpallën shumë ajete që flasin për forcën shpirtërore dhe fizike që kërkohej.

Fitorja e muslimanëve nuk ishte rezultat i aftësive të tyre, por dhuratë nga All-llahu i Madhëruar. Pas betejës, All-llahu shpalli:

“Nuk i vratë ju ata, por All-llahu i vrau. Dhe ti (o Muhammed) nuk hodhe kur hodhe, por All-llahu hodhi, që t’i sprovojë besimtarët me një sprovë të mirë. Vërtet, All-llahu është Dëgjues dhe i Dijshëm.” (El-Enfal, 8:17)

Ne përpiqemi, punojmë dhe mundohemi për shpërblime, por suksesi i vërtetë vjen vetëm nga All-llahu i Madhëruar.

4. Nuk je kurrë vetëm

I Dërguari i All-llahut ﷺ e dinte se ai dhe shokët e tij nuk ishin vetëm në këtë betejë. Kur’ani tregon se melekët zbritën në fushën e Bedrit për t’i ndihmuar besimtarët.

Le ta pyesim veten: Si mund ta sjellim këtë ndihmë Hyjnore në jetën tonë të përditshme?

Kjo lidhet me xhihadin e brendshëm, me përpjekjen e shpirtit për t’iu dorëzuar All-llahut të Madhëruar. Ne mësojmë se duhet ta hapim zemrën me besim të palëkundur tek Ai, dhe ta drejtojmë trupin dhe veprat tona drejt të mirës, në mënyrë që ta meritojmë ndihmën e Tij dhe të largohemi nga shpërqendrimet e shejtanit.

5. Të bashkuar si vëllezër

Sot, muslimanët në botë shpesh janë të përçarë, por Beteja e Bedrit na kujton fuqinë e Unitetit. Sahabët u rreshtuan si një mur i pathyeshëm, të bashkuar në zemër dhe qëllim. Kurejshit, megjithëse të shumtë, u mbetën pa vetëbesim kur e vërejtën disiplinën dhe vendosmërinë e ushtrisë muslimane. Madje edhe shejtani u largua, i frikësuar nga ndihma dhe prania e madhe shpirtërore që All-llahu e zbriti mbi besimtarët e bashkuar.

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Dhe (kujto) kur shejtani ua zbukuroi veprat atyre dhe u tha: ‘Sot askush prej njerëzve nuk mund t’ju mposhtë, unë jam mbrojtësi juaj.’ Por kur dy ushtritë u panë me njëra-tjetrën, ai u tërhoq dhe tha: ‘Unë jam i larguar prej jush. Unë shoh atë që ju nuk e shihni; unë i frikësohem Allahut. Allahu është i ashpër në ndëshkim.’” (El-Enfal, 8:48)

6. Mos u ndje i mposhtur

Një nga mësimet më të mëdha të Bedrit është se nuk duhet të ndihemi të mposhtur, sidomos në këtë Ramazan.

  • Mos u mposht nga brendësia jote: nga dembelizmi, justifikimet, apo dorëzimi para dobësive.
  • Mos u mposht si pjesë e Ummetit, pavarësisht rrethanave.

Fitorja e All-llahut është gjithmonë pranë.

Edhe pse mësimet e Bedrit janë të shumta, shpresoj që këto pika të jenë të dobishme dhe frymëzuese.

Redaksia,
[www.xhamiarabia.info]