Madhështia e Natës së Kadrit

Ne ëndërrojmë për një botë në të cilën të gjithë njerëzit me vullnet të mirë do të jenë të lirë, ku do të lindin fëmijë të shëndetshëm, që e duan aromën e trëndafilit dhe e urrejnë erën e barutit të luftës!

O All-llah i Mëshirshëm, ne ëndërrojmë që në këtë natë të bekuar të na mbulosh me mëshirën Tënde të pakufishme dhe të lutemi që ta pranosh pendimin tonë dhe lutjen me të cilën të drejtohemi Ty, sepse e dimë se Ti përgjigjesh kur të thërrasim me sinqeritet.

O All-llah, e kërkojmë udhëzimin Tënd, të na bashkosh dhe të na ribashkosh, e të na kthesh besimin e ndërsjellë! Të lutemi, o Zot, që të na forcosh besimin, të na ruash të largëtin dhe ta nderosh të pranishmin, që me mëshirën Tënde, o Zot, t’i zbukurosh veprat tona dhe t’i zbardhësh fytyrat tona, të na frymëzosh me mirësinë Tënde dhe të na mbrosh nga çdo e keqe!

O All-llah, të lutemi që ta kalojmë provimin dhe të gjendemi në shoqërinë e të zgjedhurve Tu – dëshmorëve, të lumturve, atyre që janë në shoqërinë e profetëve, të suksesshmëve dhe të shpëtuarve!

O All-llah, na udhëzo në rrugën e drejtë dhe bëj që edhe ne t’i udhëzojmë të tjerët në rrugën e drejtë me të cilën Ti je i kënaqur.

O All-llah, mos lejo të jemi në rrugë të gabuar dhe mos lejo t’i çojmë të tjerët në rrugë të gabuar me të cilën Ti nuk je i kënaqur!

O All-llah, na dhuro dritën Tënde në zemrat dhe shpirtrat tanë, jepna dritën Tënde në veshët tanë, në sytë tanë, në ndjenjat tona, në fytyrat tona, në gjakun tonë, në kockat tona, në duart tona. Le të jetë drita Jote në të djathtën dhe të majtën tonë, para dhe pas nesh, mbi dhe nën ne.

O All-llah, le të jetë nuri Yt rreth nesh që të mos rrëzohemi dhe të mos ligështohemi në rrugën e mirësisë, paqes dhe lumturisë për ne dhe për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë.

O All-llah, të lutemi me nderin e kësaj nate të bekuar që familjes sonë, farefisit, të njohurve dhe miqve tanë, nëse janë të sëmurë, t’u kthesh shëndetin; nëse janë borxhlinj, t’i ndihmosh të shlyejnë borxhin; nëse janë të pikëlluar, t’ua kthesh buzëqeshjen në zemër dhe në fytyrë; nëse janë të varfër, t’i çlirosh nga varfëria; nëse janë të poshtëruar, t’ua kthesh dinjitetin; nëse ne u kemi bërë keq, të na falin; e nëse ata na kanë bërë padrejtësi, o Zot, na e lehtëso që t’i falim me nderin e kësaj nate të bekuar!

O All-llah, ne e kërkojmë të mirën në dijen Tënde dhe kërkojmë forcë në fuqinë Tënde të pakufishme, sepse Ti di gjithçka dhe ne nuk dimë. Ti mundesh gjithçka dhe ne nuk mundemi. Ti i di të gjitha sekretet e kësaj bote dhe të botës tjetër.

O All-llah, Ti e di nëse kjo çështje që synojmë të bëjmë është e mirë për fenë tonë, për jetën tonë dhe për vdekjen tonë, prandaj të lutemi të na forcosh në të, të na e lehtësojmë kryerjen e saj dhe të na e bekoje atë, o Zot.

Por Ti, o All-llah, e di edhe nëse kjo çështje që synojmë të bëjmë është e keqe për fenë tonë, për jetën tonë dhe për vdekjen tonë, prandaj të lutemi, o Zot, që nëse është kështu, ta largosh atë prej nesh dhe të na largosh ne prej saj, e të na mundësosh të jemi gjithmonë aty ku është e mira për ne, për familjen tonë, shtëpinë tonë dhe atdheun tonë.

O All-llah, le të jetë lutja jonë e fundit falënderimi i madh dhe mirënjohja ndaj Teje në çdo gjendje dhe në çdo rrethanë! Le të mbetet aroma e Fjalës Sate në Kur’an (“Kopshti i Trëndafilave”) përgjithmonë e gjallë në zemrat tona për suksesin në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër!

Amin!

Autor: Mustafa Cerić

Përshtatje në gjuhën shqipe nga redaksia,
[xhamiarabia.info]