Në ditët kur zemrat hapen, tubohen familjet dhe kur kujtojmë sakrificën, bindjen dhe mëshirën, vjen edhe një paralajmërim. Sepse Bajrami nuk është vetëm gëzim; Bajrami është edhe vigjilencë.
Dije o Ummet se fatkeqësia më e madhe që të ka goditur nuk është forca e armikut, por përçarja jote e brendshme.
Ndërsa ti ndahesh në drejtime, parti, popuj dhe interesa, të tjerët të shikojnë si një tabelë ku lëvizin figurat. Parimi i tyre është i vjetër, por ende funksional: “përça dhe sundo.” Dhe ndërsa ti debaton kush është më afër e kush më larg, kush është “i yni” e kush “i tyre”, armiku nuk bën dallim — për të, të gjithë jeni të njëjtë.
Prandaj s’është çudi që sot dëshmojmë lajme të çuditshme, akuza, kundërakuza dhe “zbulime” që vijnë nga qendra të ndryshme pushteti. Nuk ka të bëjë me atë se kush e sulmoi kë, as kush pranoi apo mohoi diçka. Ka të bëjë me modelin.
Modeli është i qartë:
- të shkaktohet dyshim mes muslimanëve
- të mbillet frikë dhe mosbesim
- të kthehen njëri kundër tjetrit
- dhe në fund, t’i detyrojnë të shterojnë vetveten
Kjo nuk është një histori e re. Është një metodë e vjetër, vetëm se e veshur me petk të ri. Dhe historia na ka mësuar tashmë se si duket kjo në praktikë.
Në mesin e viteve ’50 në Egjipt ndodhi një operacion që më vonë u bë i njohur si “Afera Lavon.” Një rrjet sekret operativësh izraelitë të Mosadit kreu një sërë sulmesh me bomba ndaj objektivave amerikanë dhe britanikë në Kajro dhe Aleksandri — jo për të shkatërruar armikun, por për të krijuar iluzionin e një armiku. Të njëjtën gjë Mosadi e bën sot në vendet e Gjirit, për të krijuar iluzionin e Iranit si armik të atyre vendeve.
Qëllimi ishte i thjeshtë, por i rrezikshëm:
- të shkaktohet kaos dhe pasiguri brenda një vendi
- të dëmtoheshin marrëdhëniet midis Egjiptit dhe Perëndimit
- dhe të nxiteshin vendime politike që do t’i shërbenin atyre që e kishin ideuar operacionin
Kur “Afera Lavon” u zbulua, u bë e qartë: sulmet nuk ishin ato që dukeshin. Nuk ishin spontane, as nuk vinin nga ata që dyshohej. Ishin të orkestruara me kujdes, që të akuzoheshin të tjerët.
Kjo është thelbi i strategjisë “përça e sundo”: jo vetëm t’i përçash palët, por t’i bësh të besojnë gënjeshtrën si të vërtetë.
O Ummet, pyete veten:
- sa prej konflikteve të sotme mbajnë të njëjtin firmë?
- Sa herë përsëritet historia, vetëm me emra të ndryshëm dhe në shtete të ndryshme?
- Si është e mundur që çdo konflikt përfundon në mënyrë që muslimanët humbin, pavarësisht kush “fiton”?
- Si ndodh që çdo luftë lë shtete më të dobëta, popuj më të përçarë dhe qeveri më të varura?
Përgjigjja është e dhimbshme, por e qartë: luftërat e mbrojtjes zhvillohen pa unitet, pa vizion dhe pa bazën e vërtetë.
Dhe baza është vetëm një:
Teuhidi.
Jo vetëm si fjalë që shqiptohet, por si parim që jetohet.
- Teuhidi në fe: që Zoti është Një.
- Teuhidi në fjalë: që e vërteta të mos copëtohet sipas interesave.
- Teuhidi në politikë: që dinjiteti të mos shitet për përfitime të përkohshme.
- Teuhidi në moral: që drejtësia të mos matet sipas asaj se kush është “i yni” e kush “i tyre.”
Pa këtë nuk ka sukses.
As në këtë botë, sepse do të mbetesh i dobët dhe i përçarë.
As në botën tjetër, sepse ke braktisur atë që të është urdhëruar.
Komploti më i madh nuk është vetëm në planet e fshehta dhe operacionet sekrete.
Komploti më i madh është kur arrijnë të të bindin se vëllai yt është armiku yt.
Dhe atëherë nuk u duhen më bomba.
Mjafton që ti vetë të tërheqësh këmbëzën.
Prandaj kjo porosi e bajramit nuk është thirrje për frikë, por për rizgjim.
Mos beso çdo lajm.
Mos prano çdo akuzë.
Mos vrapo pas çdo rrëfimi që të shtyn kundër një muslimani tjetër.
Ndal. Mendo.
Dhe pyet veten: kujti i shërben kjo?
Nëse përgjigjja nuk është Ummeti, atëherë dije se ndoshta je bërë pjesë e lojës së dikujt tjetër.
Është koha të ndërpritet rrethi.
Është koha të kthehet baza.
Është koha që Ummeti të bëhet sërish një trup — jo në parulla, por në realitet.
Sepse armiku nuk do ta ndalojë lojën e tij.
Por ti mund të ndalosh së luajturi sipas rregullave të tij.
E gëzofshi Bajramin!
dhe ky Bajram qoftë fillimi i kthjellimit, e jo vetëm i gëzimit.
Autor: Mustafa Cerić
Përshtatje nga redaksia,
xhamiarabia.info