Në përditshmërinë e jetës, sprovat i godasin zemrat e të rinjve. E keqja përpiqet ta errësojë dritën e së mirës në çdo shpirt. Kjo është një luftë e pandërprerë. I riu me karakter të fortë, me zemër të pastër dhe me besim të palëkundur, çdo të keqeje vendosmërisht i thotë : “Jo!” Motoja e tij është e qartë: Asnjë lëshim ndaj së keqes!
Në këtë betejë ai mësohet të bëhet njeri i vërtetë. Këtu nuk ka vend as për dobësi, as për butësi të gabuar. Ka vend vetëm për qëndrueshmëri, për moral dhe për dritë.
Çdo njeri, në thellësi të shpirtit të vet, mund ta korrë fitoren e së mirës. All-llahu i Madhëruar i ka dhënë secilit potencial të mjaftueshëm fizik dhe shpirtëror. Por këto dhunti duhen zgjuar, duhen ushqyer. Nxitja është kjo: të jesh njeri i drejtë, të ecësh në rrugën e ndershmërisë, në rrugën e dritës, në rrugën që të çon drejt përsosmërisë së shpirtit.
Sado të jenë joshëse thirrjet që të largojnë nga qëllimi i lartë, ato nuk mund të gjejnë vend në zemrën e të riut që ka vendosur të jetojë për botën e përhershme dhe të mos humbasë në këtë botë kalimtare.
Në fund të rrugës së shenjtë, shpërblimi është i mrekullueshëm: një shpirt i pastër si pikat e ujit të përroit malor, si bora e bardhë e majave të larta. Djaloshi trim dhe vajza trime duhet të marshojnë drejt këtyre majave të shpirtit.
Sa bukur është ta vëresh të riun që gjen forcë dhe guxim, dhe fotografisë së ndyrë, literaturës së shthurur, thirrjeve të ulëta të epshit, u thotë me vendosmëri: “Jo!” Çfarë mrekullie është kur thirrjes joshëse të shoqërisë së prishur i përgjigjet me guxim: “Jo!”
Kur shokët e ftojnë në argëtime ku fshihen veset, të metat dhe pasionet helmuese, ai me vendosmëri u thotë: “Jo!”
Provokimeve dhe nxitjeve që nuk shpijnë kah e mira, gjithmonë duhet t’u thuhet “Jo”. Për këtë duhet forcë. “Jo”, edhe për të njëqindtën herë “Jo”, për çdo gjë që të largon nga rruga e së mirës. Në këtë rrugë duhet ngadhënjyer.
Le t’i kujtojmë Idrizin, Nuhun, Salihun… se si qëndruan trimërisht në anën e së vërtetës (paqja qoftë mbi ta!) dhe nuk u shmangën as për një çast nga misioni i tyre. I kërcënuan, e kur nuk patën sukses, u ofruan pushtet, dhurata e poste. Por ata i refuzuan të gjitha dhe të keqes i thanë gjithmonë: “Jo!”
I riu duhet të jetë si shqiponja që fluturon lart, e jo si zvarraniku që endet nëpër dhé.
I urti Hasan Basriu ka thënë: “O njeri! Bëhu i matur dhe syçelë, sepse njeriu shpesh helmohet pa e kuptuar, duke qëndruar atje ku nuk i takon dhe me shoqëri që e çon drejt së keqes. Kështu, pak nga pak, dobësohet besimi i tij, ndërsa ai nuk e vëren fare.”
Dhe vërtet, nëse njeriu nuk është i vendosur në qëndrimet e tij fisnike dhe nuk di t’u kundërvihet të metave e pasioneve, ai mund të bjerë lehtë në rrjetën e merimangës, në errësirën e mëkateve, që e çon drejt humnerës së përhershme, drejt dyerve të xhehennemit. Shpesh, shumë shpesh, i riu as nuk e kupton se si rrëshqet dalëngadalë drejt humbjes.
Përshtatje,
Redaksia
[www.xhamiarabia.info]