Kush ishte Shejh-ul Islami i fundit, Mustafa efendi Sabri?

Mustafa ef. Sabri u emërua Shejh-ul Islam në kohën kur Shteti Osman ishte i ekspozuar ndaj sulmeve të brendshme dhe të jashtme.

Nëse dikush vendos ta studiojë shekullin e 20-të dhe hulumtimet ia kushton kërkimit dhe kuriozitetit figurave që e kuptonin dhe përfaqësonin të gjithë dijen dhe civilizimin tradicional islam, do të arrijë në përfundim se Shejh-ul Islam Mustafa ef. Sabri ishte në krye të atyre të zgjedhurve.

Mustafa ef. Sabri ishte udhëheqësi i fundit shpirtëror i Shtetit Osman. Lindi në Tokat në vitin 1869. Pasi e përfundoi hifzin e Kur’anit në moshë të re, u nis për në Kajseri dhe Stamboll për t’i bërë përgatitjet e thella për arsimimin që do t’i siguronte titullin e Shejh-ul Islamit: autoriteti më i lartë fetar në hierarkinë osmane.

“Mërgimi”

Mustafa ef. Sabri arriti në pozitën e Shejh-ul Islamit në kohën kur Shteti Osman ishte i ekspozuar ndaj sulmeve të brendshme dhe të jashtme. Shikimi i tij intelektual i gjerë dhe njohuritë e thella në shkencë i mundësuan atij të “kapte demin për brirë” dhe të thërriste me zë të lartë për rezistencë kundër administratës sekulariste militante, e cila në fund arriti ta rrëzonte hilafetin Osman. Ai e denoncoi sistemin që synonte ta diskreditonte mesazhin Hyjnor. Rebelimi i tij i vazhdueshëm kundër regjimit që hoqi shtetin islamik bëri që regjimi ta heshtte njëherë e përgjithmonë. Për këtë arsye, Shejh-ul Islam u detyrua të emigrojë nga vendi.

Qeveria sekulare e sapoformuar ishte e vetëdijshme se Mustafa ef. Sabri kishte alternativë dhe aftësinë për të formuar një qeveri të re, dhe e shihte atë si një kërcënim potencial. Parashikimi i tij i jashtëzakonshëm i mundësoi të kuptonte dhe të jepte përgjigje për pyetje që ishin jashtë perceptimit të njerëzve të zakonshëm. Të gjithë këta faktorë kontribuan që Mustafa ef. Sabri të detyrohej të ikte në Rumani, Greqi dhe më në fund në Egjipt.

Gjatë qëndrimit në Rumani, Gjermania, si aleate e Turqisë, e pushtoi Bukureshtin, gjë që i lehtësoi elitës republikane në Ankara ta zbulonte vendndodhjen e Mustafës. Kur lajmi arriti te elita republikane, Mustafa u arrestua dhe deportua në burg me urdhër të tyre. Më pas u dërgua përsëri në Stamboll. Gjykimi në gjykatën ushtarake zgjati 5 orë. Në ato momente Mustafa ef. Sabri ishte i bindur se do të dënohej me vdekje, dhe është vërejtur se ia falte vetes xhenazen (namazi që kryhet për personin që ndahet nga kjo botë). Pas 5 orësh diskutimesh, juria vendosi ta dëbojë në mërgim. U regjistrua citati i gjyqtarit kur komentoi vendimin: “Nuk mund ta dënoj këtë njeri me vdekje, sepse lufta e tij është vetë thelbi i bindjes dhe besimit të tij të vërtetë.”

Por, për shkak të përpjekjeve të shpeshta për atentate, Sabri efendi u detyrua të emigrojë në një vend jo mysliman. Për shkak të shqetësimit të tij që nuk donte të vdiste dhe të varrosej në një vend jo mysliman, u dërgoi letër vendeve islame përreth:

“Unë jam Mustafa Sabri, jo shumë kohë më parë Shejh-ul Islam i Shtetit Osman. Nuk kam pasaportë. Dua të hyj në vendin tuaj, në çdo mënyrë. Më pranoni si mysafir ose si refugjat…”

Pavarësisht këtij apeli dëshpërues për ndihmë, ai ishte i pafuqishëm dhe i refuzuar. Megjithatë, në fund, kur gjërat duhej të rregulloheshin, vendosi të vizitojë konsullin egjiptian në Athinë. Fatmirësisht, konsulli i atëhershëm egjiptian ishte i prirur për jetën shpirtërore dhe i doli në ndihmë. Konsulli u prek nga situata e Mustafa ef. Sabri dhe i miratoi vizën atij dhe familjes së tij. Në atë rast tha:

“O Zot, a mund t’i ndodhin situata të tilla Papës, dhe çfarë do të bënte bota e krishterë në rastin e tij? Kam marrë gjithë përgjegjësinë mbi vete. Nëse duan, mund të më shkarkojnë nga puna, të më burgosin ose të më dënojnë me vdekje për shkelje politike… Duke u ekspozuar ndaj këtij rreziku, miratova vizën!”

Pas mbërritjes në Egjipt, Sabri efendiu u përball me një valë ideologësh skeptikë të udhëhequr nga Muhammed Abduhu. Megjithatë, Sabri efendija i hodhi poshtë qëndrimet e Abduhut me polemika publike dhe të shkruara. Suksesi i këtyre polemikave u kurorëzua me pohimin: “Suksesi im është vetëm në këmbënguljen time për ta mbrojtur të vërtetën.”

“Vështirësitë dhe sprovat”

Shumicën e sprovave Mustafa efendiu i përjetoi për shkak të fushatës së përgjithshme kundër asaj që ai besonte. Asnjë pozitë apo status nuk mund ta lëkundte apo ta largonte Sabri efendiun nga përkushtimi ndaj së vërtetës. Për shembull, i ishte ofruar të qëndronte në Turqi dhe të kishte një jetë të rehatshme dhe pozitë të lartë, vetëm nëse do të pranonte qeverinë e re sekulariste. Por ai e refuzoi këtë dhe çdo ofertë tjetër që do ta komprometonte me të vërtetën. Ndër vështirësitë dhe sfidat me të cilat u përball Shejh-ul Islam Mustafa ef. Sabri ishin edhe ngjarjet me të cilat u përball:

Në kohën kur indianët protestonin kundër administratës angleze, udhëheqësi i shquar i nacionalizmit indian, Mahatma Gandhi, vendosi të bëjë grevë urie. Greva e tij e urisë mund të rezultonte në vdekjen e Gandhit, gjë që do të shkaktonte një kryengritje kombëtare që do të çonte në revolucionin përfundimtar. Pas lajmeve për këto ngjarje në Indi dhe vëmendjes që mori përmes mediave, përfshirë agjencitë e lajmeve në pronësi myslimane, Shejh-ul Islam Mustafa Sabri raportohet se ka thënë fjalët e mëposhtme:

“Gandhi vendosi të fillojë grevën e urisë dhe e gjithë bota u trondit nga ky lajm. Shejh-ul Islami, me familjen e tij ka vite që agjëron, dhe bota islame nuk di asgjë për këtë. Shteti osman është në një gjendje aq të mjerueshme sa shejh-ul islami i tij mund të hajë fasule të thjeshta për muaj me radhë, dhe askush nuk do ta dijë këtë…”

Në jetën dhe vdekjen e Shejh-ul Islamit, ka shumë mësime të rëndësishme për brezat e ardhshëm që duan t’i shërbejnë besimit të tyre dhe ta mbrojnë drejtësinë në luftën e tyre për fitoren përfundimtare. Është shkruar se ai e ka thënë edhe këtë: “Për këtë sukses nevojitet një sakrificë e tillë, saqë njëri për tjetrin nuk duhet të sakrifikojë vetëm jetën në këtë botë, por edhe jetën pas vdekjes!”

Me të vërtetë, jeta e Mustafa efendi Sabriut është një shembull unik i kësaj sakrifice.

Ai vdiq në Egjipt në vitin 1954, ku edhe u varros. Pas etes la pas një thesar të veprave.

Mëshira e All-llahut qoftë mbi Shejh-ul Islam Mustafës efendi Sabriun!

Redaksia,
[xhamiarabia.info]