Ajeti: “O ju ë besuat, përkujtoni All-llahu sa më shpesh.” (Kur’an, Ahzab, 41) vjen në formë të përgjithshme, pa përkufizim rreth mënyrës, kohës apo formës së dhikrit. Pikërisht ky përgjithësim e tregon gjerësinë e adhurimit të përmendjes së All-llahut, qoftë individualisht apo në grup, me zë apo në heshtje, për sa kohë që është në përputhje me parimet e sheriatit dhe shpie drejt vetëdijes për All-llahun e madhëruar.
Pretendimi se zëri i lartë apo dhikri i përbashkët është i diskutueshëm, shpesh mbështetet në ngushtimin e asaj që All-llahu e ka lënë të gjerë. Nëse është urdhëruar “përmendje e shpeshtë”, atëherë çdo mjet që i bashkon njerëzit në përmendjen e All-llahut, e forcon lidhjen e tyre me Të dhe e nxit zemrën drejt përulësisë, hyn në veprat e lavdëruara, e jo të qortuara, për sa kohë që nuk përmban diçka qartësisht të ndaluar.
Dhikri i përbashkët ka edhe një dimension shtesë: ai i nxit të pakujdesshmit, i mëson të painformuarit, e forcon unitetin dhe krijon një ambient ku emrat dhe cilësitë e All-llahut lartësohen e madhërohen. Vështirë të thuhet se një tubim i tillë bie ndesh me frymën e këtij dhe ajeteve të tjera që thërrasin pikërisht në shpeshtësi, bollëk dhe vazhdimësi të dhikrit.
Së fundmi, ia vlen të kujtohet një fakt i dukshëm: gjatë Bajramit, edhe ata që e kundërshtojnë dhikrin e përbashkët, ashtu si të gjithë besimtarët, i kanë shqiptuar tekbiret e Bajramit së bashku, në grup. Nëse shqiptimi i përbashkët i tekbirit është i pranueshëm dhe një praktikë e Ummetit, atëherë është e vështirë të pretendohet në mënyrë të qëndrueshme se çdo formë e dhikrit të përbashkët është problematike apo e diskutueshme.
Redaksia,
[xhamiarabia.info]