USHTRIMI SHPIRTËROR I NOTIMIT PËR SUKSES TË PËRKOHSHËM DHE SHPËTIM TË PËRJETSHËM

Rreziku më i madh i jetës nuk është madhësia e valëve, por çasti kur njeriu harron të notojë. Deti nuk është armik; ai vetëm na sfidon të dëshmojmë sa kemi mësuar të besojmë, të mendojmë, të ndiejmë dhe të qëndrojmë të fortë përballë stuhive.

Bota e sotme ngjan me një det të trazuar. Valët e urrejtjes, frikës, gënjeshtrës, lakmisë, mendjemadhësisë dhe dëshpërimit godasin nga të gjitha anët. Shumë njerëz nuk fundosen nga mungesa e forcës, por nga humbja e mbështetjes së tyre të brendshme, asaj që i udhëheq drejt suksesit në këtë botë dhe shpëtimit në amshim. Ata kanë harruar se njeriu nuk noton vetëm me trupin e tij; ai noton me shpirtin, zemrën, ndërgjegjen dhe vetëdijen e tij.

Shpirti noton me besim. Kur e njeh All-llahun si Zotin e tij, asnjë valë nuk bëhet aq e madhe sa ta largojë nga bregu i shpresës. Erërat mund të fryjnë fort dhe deti mund të tërbohet, por zemra që mbështetet te Krijuesi nuk e humb drejtimin, sepse drita e besimit e udhëheq përmes çdo stuhie.

Zemra noton me dashuri. Urrejtja është pesha që e fundos shpirtin, ndërsa dashuria është era e butë që e mban në sipërfaqe. Sa më shumë dashuri të bartë zemra, aq më pak e frikësojnë stuhitë, sepse ajo gjen dritë edhe në mes të errësirës.

Ndërgjegjja noton me të vërtetën. Kush e humb të vërtetën, e humb drejtimin. Pa busullën e ndërgjegjes, edhe deti më i qetë bëhet i rrezikshëm.

Vetëdija noton me urtësi. Jo çdo valë është për t’u luftuar; disa duhet të kapërcehen, disa të shmangen, e disa të priten me durim derisa të kalojnë. Urtësia e dallon guximin nga mendjelehtësia dhe naiviteti.

Prandaj, sfida më e madhe shpirtërore e kohës sonë nuk është thjesht të mbijetojmë, por të mësojmë të notojmë përmes dallgëve të jetës. Të qëndrojmë të qetë kur stuhitë na rrethojnë, të drejtë kur padrejtësia bëhet normë, të mëshirshëm kur ashpërsia sundon dhe të mbetemi vërtet njerëz kur shumëkush e humb lidhjen me njerëzoren e vet.

Besimtari nuk lutet për një det pa stuhi, por për një zemër që nuk tronditet nga stuhitë. Ai e di se valët ngrihen e bien, erërat fryjnë e pushojnë, ndërsa All-llahu, xhel-le sha’nuhu, El-Hafidh (Ai që ruan dhe mbron), mbetet përherë pranë robit të Tij. Prandaj, ai nuk e mat forcën e tij me madhësinë e dallgëve, por me madhësinë e besimit që e mban mbi to.

Bota jonë sot nuk vuan vetëm nga ndryshimet klimatike. Ajo vuan nga ndryshimet shpirtërore. Po rritet temperatura e urrejtjes njerëzore, po ulet niveli i besimit të ndërsjellë, dhe stuhitë e egoizmit po kërcënojnë të fundosin vetë idenë e njerëzimit. Prandaj nuk na duhen vetëm anije më të mira, ekonomi më të forta apo teknologji më të fuqishme. Na duhen njerëz që dinë të notojnë në detin e sprovave pa e humbur shpirtin e tyre.

Pejgamberi Muhammed, s.a.v.s., nuk erdhi me premtimin e një jete pa dallgë. Ai u mësoi njerëzve si të notojnë përmes tyre. Nuk u premtoi det pa stuhi, por udhë drejt një bregu të sigurt për ata që kapen fort pas së vërtetës, durimit dhe besimit në All-llahun e Madhëruar.

Prandaj çdo mëngjes duhet ta fillojmë me këtë ushtrim shpirtëror:

Le të notojë shpirti im në oqeanin e besimit.
Le të notojë zemra ime në dritën e dashurisë.
Le të notojë ndërgjegjja ime në ujërat e pastra të së vërtetës.
Le të notojë vetëdija ime në thellësitë e urtësisë.
Dhe le të më ruajë All-llahu i Lartësuar që asnjë valë e kësaj bote të mos më largojë nga bregu i mëshirës, faljes dhe kënaqësisë së Tij.

Sepse njeriu nuk është krijuar që të fundoset në dunja. Ai është krijuar ta kapërcejë atë – me dinjitet, me vetëdije dhe me shpresë – derisa të arrijë në portin e paqes së përjetshme. Dhe atje nuk ka stuhi. Atje ka vetëm paqe: “O shpirt i qetësuar, kthehu te Zoti yt i kënaqur, e edhe Ai i kënaqur me ty.” (Kur’ani, El-Fexhr, 27–30)

Autor: Mustafa Cerić

Përshtatje,
[xhamiarabia.info]