Kur mes njerëzve lindte ndonjë mosmarrëveshje, i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. nuk priste gjithmonë që ata ta gjenin vetë rrugën e pajtimit.
Një herë ai mori vesh se kishte shpërthyer një grindje mes njerëzve të fisit Benu Amr ibn Avf. Menjëherë shkoi me një grup sahabësh për t’i pajtuar. (Transmeton Sehl ibn Sa’d r.a., e shënojnë Buhariu dhe Muslimi).
Nga përkushtimi për t’i pajtuar, ai u vonua aq shumë sa hyri koha e namazit, dhe Ebu Bekri r.a. doli për t’i udhëhequr njerëzit në namaz — sepse i Dërguari s.a.v.s. ende ndodhej aty ku njerëzit kishin nevojë për bashkim.
Një pamje mjaft e bukur e përcaktimit të prioriteteve!
Mund të kishte thënë se ajo nuk ishte çështje e tij.
Mund të kishte pritur që ata t’i drejtoheshin vetë.
Por, posa dëgjoi se marrëdhëniet mes njerëzve ishin prishur, ai shkoi vetë tek ata.
Sepse grindja rrallë mbetet vetëm mes dy personave.
Ajo depërton në familje.
Kalon te fëmijët.
I ndan miqtë.
E ndonjëherë zgjat me vite vetëm pse askush nuk e bën hapin e parë.
I Dërguari s.a.v.s., me shembullin e tij, na mëson se ia vlen gjithmonë të jesh njeriu që sjell paqe e pajtim.
Redaksia