Njeriu përpiqet sipas mundësive. Punon, planifikon, lufton. Mundohet ta bëjë jetën e vet dhe të familjes sa më të bukur. Por, pavarësisht sa përpiqet, njeriu nganjëherë vjen para dyerve të mbyllura dhe kupton se nuk mund të vazhdoj. Arrin te dyer që nuk mund t’i hapë as me pasuri, as me forcë, as me dije dhe as me lidhje.
Çfarë të bëjë atëherë? Çfarë të bëjë kur rruga nuk mund të vazhdojë? Çfarë të bëjë kur i kemi shteruar të gjitha mundësitë dhe arrijmë në fund?!
Islami jep një përgjigje shumë të thjeshtë për këtë. Besimtari, siç thotë Pejgamberi a.s., e përdor armën e tij më të fortë. Ai ngre duart, vendos ballin në sexhde dhe i drejtohet All-llahut me dua, e pastaj mbështetet tek Ai, sepse besimtari e di se All-llahu kurrë nuk e refuzon duanë dhe nuk i lë në baltë robërit e Tij të sinqertë.
Si t’i lutemi All-llahut?
Përgjigjja gjendet në Kur’an, në suren El-Enbija. Në atë faqe gjenden udhëzime të qarta për shpresë, ilaç dhe rrugëdalje nga vështirësitë… Në atë faqe gjenden tri dua, tre pejgamberë, tri dhimbje të ndryshme, por një përfundim i njëjtë: “Dhe Ne iu përgjigjëm.”
Lutja e parë – duaja e pejgamberit Ejjub, a.s.
Pejgamberit të All-llahut, Ejjubit a.s., All-llahu në një periudhë të jetës i kishte dhënë gjithçka që një njeri mund të dëshirojë: shëndet, pasuri, familje, miq, respekt… Por pastaj All-llahu vendosi ta sprovojë, për ta parë besimin dhe sjelljen e tij. Sepse është lehtë të jesh i mirë kur gjithçka shkon mirë; provo të jesh i mirë kur asgjë nuk shkon.
Ejjubi a.s. e humbi pasurinë, i humbi fëmijët, e humbi shëndetin, i humbi miqtë, e humbi respektin… Për vite të tëra jetoi me bashkëshorten e tij jashtë qytetit, i sëmurë, i braktisur dhe në varfëri. U përpoqën, u munduan, por kur pa se nuk kishte më rrugëdalje, iu drejtua All-llahut me një dua të thjeshtë, por jashtëzakonisht të sinqertë:
“Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve! [El-Enbija, 83]
Kjo është e gjithë lutja. Pa lista të gjata. Pa ankesa. Pa fajësime. Vetëm pranimi i dobësisë dhe mbështetje e plotë në mëshirën e All-llahut.
Dhe All-llahu i Lartësuar thotë:
“Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte…” [El-Enbija, 84]
Ne iu përgjigjëm lutjes së tij. Ia larguam sprovën, ia kthyem shëndetin, ia kthyem familjen, ia kthyem pasurinë, ia kthyem respektin…
Vëllezër të dashur, sa herë kemi qenë në gjendjen e Ejjubit, por nuk e kemi bërë duanë e Ejubit?
Ky shembull na mëson se All-llahu nuk kërkon fjalë të mëdha, por zemër të pastër që e di kujt po i drejtohet.
Lutja e dytë
Në të njëjtën faqe të së njëjtës sure gjendet edhe lutja e pejgamberit Junus a.s.. Pejgamberi Junus a.s., pa lejen e All-llahut të Lartësuar, e kishte braktisur popullin e tij. Pasi u ngjit në anije, All-llahu e sprovoi duke bërë që ai të hidhej në det. E që situata të bëhej edhe më e rëndë, e gëlltiti një balenë gjigante dhe e çoi në fund të detit. Nuk kishte dritë. Nuk kishte ajër. Nuk kishte dalje. Nuk kishte miq. Nuk kishte zë. Nuk kishte ndihmë.
Në atë gjendje dhe pozitë, çdo plan njerëzor merr fund. Nuk ndihmon as forca, as mendja, as lidhjet. Çdo shpresë shuhet, përveç shpresës në All-llahun.
Dhe Junusi a.s., në atë errësirë, fillimisht nuk kërkon shpëtim, nuk kërkon dalje. Ai së pari e pranon gabimin e tij, i kthehet All-llahut. Dhe i shqipton fjalët që janë thënë në rëniet më të mëdha të jetës:
“Kujtoje Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, thirri nga errësira:
“…S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” [El-Enbija, 87]
“Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja…[El-Enbija, 88]
Vëllezër të dashur, sa herë kemi qenë në errësirën e jetës sonë? Sa herë jemi “gëlltitur” nga brengat, frika, mëkatet? Sa herë kemi menduar se nuk ka rrugdalje? A i kemi pranuar gabimet tona dhe kemi thënë: “Nuk ka zot tjetër përveç Teje. I Lartësuar je Ti. Vërtet unë i kam bërë padrejtësi vetes.” apo kemi menduar se dikush tjetër do të na shpëtojë?!
Ky shembull na mëson se edhe errësira më e thellë zhduket në çastin kur zemra pendohet sinqerisht dhe i kthehet All-llahut.
Lutja e tretë
Kjo është lutja e Zekerijas, a.s.
Zekerija a.s. gjatë kohë nuk kishte fëmijë; nuk kishte pasardhës. Vitet kalonin dhe pleqëria afrohej. E shihte trupin që dobësohej dhe flokët që thinjeshin. Por Zekerijja, a.s. nuk e humbi shpresën në mëshirën e All-llahut. Nuk tha: “Mbaroi!” “Nuk ka më kuptim!” Por me përulësi dhe butësi ngriti duart dhe iu drejtua Atij që bën çdo gjë:
“O Zoti im, mos më lër vetëm pa fëmijë, e Ti je trashëgimtari më i mirë.” [El-Enbija, 89]
“Zoti im, mos më lër vetëm, e Ti je më i miri i trashëgimtarëve!” (El-Enbija, 89)
Dhe All-llahu i Lartësuar thotë:
“Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë për lindje…” [El-Enbija, 90]
Vëllezër të nderuar, sa prej nesh në zemër e kanë trishtimin e dëshirave të parealizuara? Sa prej nesh prej vitesh presin përgjigje? Sa prej nesh janë afër dorëzimit dhe heqjes dorë?
Ky shembull na mëson se tek All-llahu nuk ekziston termi “vonë”, nuk ka gjë “të pamundur”, nuk ka “dyer të mbyllura”.
Tre lutje, tre pejgamberë, tri dhimbje të ndryshme, por një Zot i Gjithëfuqishëm dhe një përgjigje: “Ne iu përgjigjëm!”
Kjo, nuk është vetëm histori për ata, por mesazh dhe mësim për ne sot.
Mesazh se kur robi i drejtohet All-llahut me sinqeritet, pavarësisht sa e rëndë të jetë sprova, dyert nuk janë të mbyllura. All-llahu nuk iu përgjigjet fjalëve të bukura, por zemrës së thyer dhe të sinqertë. Nëse All-llahu nuk është përgjigjur menjëherë, nuk do të thotë se nuk na ka dëgjuar; Ai përgjigjet kur është më e përshtatshme dhe ashtu si është më mirë.
O All-llah, ne i besojmë fjalët e Tua: “Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, thuaju se Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua…” Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” [El-Bekare, 186]
Prandaj të lutemi: pranoji lutjet tona, largoji vështirësitë tona dhe na bëj prej atyre që kurrë nuk e humbin shpresën dhe gjithmonë mbështeten tek Ti. Amin!
Redaksia,
[xhamiarbia.info]