Verbëria e zemrës është më e rëndë se ajo e syve

All-llahu i Madhëruar thotë: “Edhe sikur t’i thërrasësh në rrugë të drejtë, ata nuk do të dëgjojnë! Ty të duket sikur të vështrojnë, por ata nuk shohin.” [El-A‘raf, 198]

Fjala e All-llahut nuk është e përsosur vetëm në mesazhet që përcjell, por edhe në përzgjedhjen e çdo fjale. Në Kur’an nuk ka shprehje të përdorura vetëm për larmi stilistike. Çdo fjalë mbart nuancën e vet të veçantë, ndërsa çdo ndryshim në shprehje hap një dimension të ri të kuptimit.

Pasuria e kuptimeve dhe larmia e shprehjeve janë veçori të gjuhës arabe, gjuhës që All-llahu zgjodhi për shpalljen e Librit të Tij të fundit. Asnjë gjuhë tjetër nuk mund t’i përcjellë plotësisht shtresat e Fjalës së All-llahut, bukurinë retorike, thellësinë dhe saktësinë që ajo mbart.

Një shembull i kësaj saktësie është dallimi midis nocioneve nadhar (shikim) dhe basar (pamje, të parit), të cilat përmenden në ajetin e El-A‘raf.

Në dukje, dallimi midis shikimit dhe të parit mund të duket i thjeshtë, por fsheh mesazhe të thella lidhur me vetëdijen, perceptimin dhe kuptimin e botës.

Dijetarët islamë shpjegojnë se nadhar i referohet drejtimit të shikimit dhe regjistrimit të asaj që paraqitet para syve, ndërsa basar nënkupton aftësinë për të kuptuar dhe përvetësuar domethënien e asaj që shihet, duke formësuar mendimet, ndjenjat dhe veprimet.

Njeriu mund të shikojë diçka, por zemra e tij të mbetet e verbër ndaj mesazhit që ajo përmban. Syri regjistron pamjen, por mendja dhe zemra mund të mos depërtojnë në kuptimin e saj.

Prandaj, Kur’ani i kujton njeriut se problemi më i madh nuk është mungesa e shikimit fizik, por mungesa e të parit të vërtetë.

All-llahu thotë: “…Ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.”[El-A‘raf, 179]

Njeriu mund të shohë një vepër arti dhe të vërejë vetëm ngjyrat dhe format, por të parit e vërtetë i mundëson të reflektojë mbi ndjenjat, mesazhin dhe historinë që ajo bart. Po ashtu, një njeri mund të shohë vetëm dukuritë materiale në botë, ndërsa tjetri dallon shenjat e Urtësisë dhe fuqisë së Krijuesit.

Pra, ndërsa shikimi kërkon vetëm ekzistencën e syve, të parit e vërtetë kërkon aftësinë për të kuptuar.

Basira nuk është aftësi e syrit, por e zemrës.

Shikimi pa reflektim mbetet vetëm nadhar – një akt pa ndikim të thellë. Vetëm kur shikimi bëhet vëzhgim dhe meditim i vetëdijshëm, ai shndërrohet në basar, që më pas ngrihet në basira – njohje të brendshme me të cilën zemra dallon të vërtetën, edhe kur shumica nuk e shohin.

Basira është drita me të cilën All-llahu ndriçon zemrën, kështu që njeriu kupton thelbin dhe mesazhin e asaj që sheh.

Në këtë kuptim, All-llahu thotë: “Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt All-llahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua. I përlëvduar qoftë All-llahu; unë nuk jam prej idhujtarëve!” [Jusuf, 108]

Edhe pse në përkthimin e Kur’anit, basira është përkthyer si “dëshmi të qarta,” kuptimi i saj është më i gjerë. Basira do të thotë njohje të qartë, të sigurt dhe të palëkundur, të mbështetur në dije dhe bindje të fortë, pa dyshim.

Sepse njeriu mund të dijë shumë, por të mos jetë i udhëzuar. Mund të studiojë universin dhe ligjet e natyrës, por të mos e besojë Krijuesin. Mund të ketë shikim të përsosur dhe të shohë bukurinë e krijimit, por të mos dallojë gjurmët e fuqisë dhe madhështisë së All-llahut.

I verbëri nuk është vetëm ai që nuk sheh dritën e Diellit, por ai që e ka Diellin para syve, por nuk e njeh madhështinë e Krijuesit. Ai që dëgjon fjalët e së vërtetës, por zemra e tij refuzon t’i pranojë. Kjo është verbëri e zemrës, e njeriut që sheh gjithçka përreth, por nuk sheh Atë pa të cilin asgjë nuk ekziston.

Prandaj, Kur’ani nuk kërkon vetëm të hapësh sytë, sepse sytë janë të hapur edhe për besimtarët edhe për mohuësit. Ai kërkon të hapësh zemrën, të mendosh, të lidhësh fakte dhe të njohësh Krijuesin përmes shenjave në botë.

Pra, basira është aftësi e zemrës, jo e syrit. Kur’ani e lidh shpesh zemrën me arsyen, sepse aty takohen dija, besimi dhe njohja.

Lum ai që All-llahu i dhuron basira. Ai nuk e ndalon shikimin te dukuritë e jashtme, por në çdo gjë dallon shenjat e Zotit të tij. Sepse fatkeqësia më e madhe nuk është humbja e shikimit, por humbja e dritës së zemrës.

Përshtatje
[xhamiarabia.info]