Kur vajza e të Dërguarit s.a.v.s. po kalonte një nga momentet më të vështira për një prind, pasi fëmija i saj ishte në prag të vdekjes, dërgoi dikë për t’i kërkuar praninë e tij.
I Dërguari s.a.v.s. ia përcolli së pari këto fjalë: “All-llahut i përket ajo që merr dhe ajo që jep. Tek Ai çdo gjë ka një afat të caktuar me precizitet, prandaj le të durojë dhe të shpresojë shpërblimin nga All-llahu.” (Transmeton Usame ibn Zejd r.a., shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
Menjëherë pas kësaj, ai shkoi vetë te ajo.
Kur ia sollën fëmijën që po jepte frymën e fundit, sytë e të Dërguarit s.a.v.s. u mbushën me lot.
Sa’d ibn Ubade r.a. u habit kur e pa të Dërguarin s.a.v.s. duke qarë.
Ai i shpjegoi se këta lot nuk janë mosdurim, por mëshirë që All-llahu e mbjell në zemrat e robërve të Tij.
Sa njerëzore dhe e ngrohtë është kjo skenë!
Nuk i tha të pikëlluarit se nuk guxon të qajë.
Nuk u mundua t’ia zbusë dhimbjen me retorikë apo fjalë të mëdha.
Ia kujtoi All-llahun, i qëndroi pranë dhe derdhi lot bashkë me të.
Sepse njeriut, në momente sprove, nuk i duhen shumë fjalë. Ndonjëherë, mbështetja më e madhe është vetëm prania e dikujt që hesht dhe vuan bashkë me të.
Redaksia