Frutat e sinqeritetit

Në një mbretëri të largët lindore jetonte një mbret i urtë, i cili po i afrohej moshës së pleqërisë. Ai e dinte se duhej të zgjidhte pasardhësin e tij, por nuk dëshironte ta bënte sipas traditës, duke zgjedhur fëmijët ose shërbëtorët e vet. Ai vendosi t’i provonte zemrat e rinisë së mbretërisë.

Një ditë i mblodhi të gjithë të rinjtë dhe u tha: “Koha ime po mbaron. Dua që mbreti i ardhshëm të jetë njëri prej jush. Secilit do t’ju jap nga një farë të veçantë. Mbilleni, ujiteni dhe pas një viti silleni këtu. Bima që do të rritni do të tregojë kush prej jush është i denjë për fronin.”

Mes të rinjve ishte edhe një djalosh i quajtur Ling. Ai e mori farën, shkoi në shtëpi dhe me gëzim ia tregoi nënës së tij ndodhinë. Ajo e ndihmoi ta përgatiste vazon dhe dheun. Lingu e mbolli farën dhe çdo ditë e ujiste me kujdes, duke pritur me padurim shenjën e parë të rritjes.

Javët kaluan. Shokët e tij filluan të flisnin për bimët që po rriteshin. Por në vazon e Lingut nuk kishte asgjë. Kaluan tre javë, katër, pesë… asnjë ndryshim. Ai filloi të mendonte se kishte dështuar. Edhe pas gjashtë muajsh, vazoja e tij mbetej bosh.

Megjithatë, Lingu nuk u dorëzua. Ai vazhdoi ta ujiste farën, duke shpresuar se ndoshta një ditë do të mbinte.

Pas një viti, të rinjtë u kthyen në pallat me pemë të larta, lule shumëngjyrëshe dhe bimë të mrekullueshme. Lingu, me zemër të rënduar, mori vazon e tij bosh. Disa qeshën me të, të tjerë ndjenë keqardhje.

Kur mbreti hyri, ai u mahnit nga bukuria e bimëve. Por papritmas vërejti Lingun që fshihej pas të tjerëve. E thirri përpara. Lingu u tremb, mendoi se mbreti do ta qortonte.

Mbreti e pyeti për emrin, dhe pasi turma u qetësua, tha me zë të lartë:

“Ky është mbreti juaj i ri!”

Të gjithë u habitën. Lingu vetë nuk mund ta besonte.

Mbreti vazhdoi: “Një vit më parë, ju dhashë fara të ziera — fara që nuk mbijnë kurrë. Ju të gjithë, përveç Lingut, i zëvendësuat farat e mia me të tjera. Lingu është i vetmi që tregoi sinqeritet, guxim dhe besnikëri. Ai solli vazon bosh, por zemrën e tij të pastër. Prandaj, ai është i denjë të jetë mbret.”

Çfarë mbjell, atë do të korrësh
  • Nëse mbjell sinqeritet, do të korrësh besim.
  • Nëse mbjell mirësi, do të korrësh miq.
  • Nëse mbjell përulësi, do të korrësh madhështi.
  • Nëse mbjell këmbëngulje, do të korrësh fitore.
  • Nëse mbjell kujdes, do të korrësh harmoni.
  • Nëse mbjell punë të palodhshme, do të korrësh sukses.
  • Nëse mbjell falje, do të korrësh pajtim.
  • Nëse mbjell durim, do të korrësh përmirësim.
  • Nëse mbjell besim, do të korrësh mrekulli.

Kujdes çfarë mbjell sot, sepse frutat e së nesërmes janë pasqyra e zgjedhjeve të tua. Farat që mbjell në zemër, në sjellje dhe në vepra, do ta ndërtojnë jetën tënde — ose drejt dritës, ose drejt errësirës.

Përshtatje,
[xhamiarabia.info]