Një njeri, të cilit Pejgamberi s.a.v.s. i kishte borxh diçka, erdhi për ta kërkuar atë. Mënyra se si e kërkoi ishte mjaft e ashpër.
Shokët e Pejgamberit s.a.v.s. u zemëruan dhe u nisën drejt tij për t’u llogaritur. Mirëpo, i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i ndaloi dhe u tha:
„Lëreni! Sepse ai që ka të drejtë, ka edhe fjalën.“
Më pas, ai urdhëroi që t’i kthehej borxhi. Meqenëse nuk gjetën një deve të së njëjtës moshë, gjetën një tjetër më të mirë e më të vlefshme.
Pejgamberi s.a.v.s. tha:
„Jepjani atij! Sepse më të mirët prej jush janë ata që i kthejnë borxhet në mënyrën më të bukur.“(Transmeton Ebu Hurejra r.a. E shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
Mënyra se si veproi Pejgamberi s.a.v.s. mbart një domethënie të madhe:
Ai nuk lejoi që ai njeri ta humbte të drejtën e tij, thjesht sepse mënyra se si e kërkoi nuk i pëlqeu.
Nuk e përdori autoritetin e tij për ta heshtur.
Ai i ndau qartë dy gjëra:
një njeri mund të gabojë në mënyrën se si e kërkon të drejtën, mirëpo e drejta e tij nuk pushon së qeni e tillë për këtë shkak.
Kjo është një masë e lartë drejtësie — sidomos kur jemi mjaftueshëm të fortë sa për të vepruar ndryshe.
Redaksia