I Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në periferi të Xhenetit atij që heq dorë nga debati, edhe pse ka të drejtë.”
Biseda ndonjëherë nis krejt qetësisht. Pastaj e ngremë zërin, e përsërisim të njëjtën gjë dhe fillojmë të kërkojmë fjalë që e lëndojnë tjetrin. Tema dalëngadalë harrohet; mbetet vetëm dëshira që fjala e fundit të jetë e jona.
Veçanërisht e vështirë është të ndalemi kur e dimë se kemi të drejtë. Kemi edhe një dëshmi, edhe një përgjigje, edhe një mesazh që mund ta dërgojmë.
I Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., na kujtoi vlerën e heqjes dorë nga një debat që nuk i sjell dobi askujt. Mund ta shpjegojmë qëndrimin tonë dhe ta përfundojmë bisedën para se të shfaqen fyerjet. Gjëja më e vështirë është ta lëmë pa thënë atë fjali me të cilën do të “fitonim”. Dhe pikërisht për këtë hap, i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., premtoi shtëpi në Xhenet.
Redaksia