NAKBA – SHTATËDHJETË E TETË VJET MË VONË

Nakba nuk është vetëm një ndodhi historike. Ajo paraqet një plagë të kohës që ende gjakoset. Ajo është emri për eksodin, për humbjen e shtëpisë, për këngën e ndërprerë të ullishtave, për familjet e shpërngulura që brenda natës u bënë një popull pa siguri, pa mbrojtje dhe pa të drejtë për t’u kthyer në pragjet e tyre. Më 15 maj përkujtohet përvjetori i Nakbës, nuk thirret vetëm e kaluara; atëherë para ndërgjegjes së njerëzimit ngrihet një pyetje që edhe pas shtatëdhjetë e tetë vjetësh nuk gjeti përgjigje të drejtë: si është e mundur që një popull të jetojë kaq gjatë mes kujtimeve dhe mërgimit, mes shpresës dhe rrënojave?

Më 15 maj 1948, pas shpalljes së shtetit Izraelit dhe luftës që pasoi, qindra mijëra palestinezë u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre. Fshatrat u shkatërruan, jetët u ndërprenë, familjet u shpërndanë. Njerëzit që për breza punonin tokën e tyre, ruajtën ullinjtë, ndërtuan shtëpitë e tyre prej guri dhe kujtimesh, papritmas u bënë refugjatë. Kjo tragjedi nuk ishte vetëm pasojë e luftës; ajo ishte fillimi i një ndjenje të gjatë që populli palestinez u fshi nga historia e vet, megjithëse Palestina ka qenë për shekuj një tokë me qytete të gjalla, fshatra, kultura, xhami, kisha dhe jetë të përbashkët.

Prandaj slogani “tokë pa popull për popull pa tokë” mbetet një nga frazat më të padrejta politike të kohës sonë. Sepse Palestina kurrë nuk ka qenë tokë pa popull. Ajo ka qenë shtëpia e miliona njerëzve, gjurmët e të cilëve janë ngulitur në tokën e saj për shekuj me radhë. Kur një popull shpallet i jo ekzistues, atëherë fillon katastrofa morale. Sepse t’ia fshish dikujt emrin, të drejtën e përkatësisë do të thotë t’ia hapësh dyert e padrejtësive që zgjasin breza.

Paradoksi i historisë moderne qëndron pikërisht në faktin se palestinezët u bënë populli që pagoi një pjesë të çmimit për një krim që nuk e kreu. Holokausti mbetet një nga tragjeditë më të errëta të njerëzimit — krimi i Evropës naziste ndaj hebrenjve që duhet të mbetet një paralajmërim i përhershëm kundër urrejtjes, racizmit dhe gjenocidit. Çdo ndërgjegje njerëzore duhet të qëndrojë përballë së vërtetës për Auschwitz-in me respekt dhe trishtim. Por pikërisht për shkak se njerëzimi e ka përjetuar tmerrin e gjenocidit, është edhe e vështirë ta kuptosh pse dhimbja e një populli u kthye në vuajtje të gjatë të populli tjetër. Morali nuk mund të jetë selektiv. Vuajtja e hebrenjve në Evropë nuk mund të jetë justifikim për mohimin e të drejtave të palestinezëve për jetë me dinjitet, siguri dhe liri.

Në këtë qëndron tragjedia e thellë e kohës sonë: bota që pas Luftës së Dytë Botërore premtoi të drejta universale njerëzore dhe drejtësi ndërkombëtare nuk arriti të sigurojë paqe dhe siguri për popullin palestinez. Rezolutat e Kombeve të Bashkuara për vite me radhë e dëshmojnë të drejtën e palestinezëve për kthim, për shtetësi, për mbrojtjen e civilëve dhe për dinjitet. Megjithatë, historia e përditshme palestineze mbetet e shënuar nga okupimi, rrënimi i shtëpive, kampet e refugjatëve, bllokadat dhe ndjenja e vazhdueshme e pasigurisë. Njeriu duhet të pyesë: çfarë vlere ka e drejta ndërkombëtare nëse nuk mund ta mbrojë ata që presin drejtësi për dekada?

Kujtimi i Nakbës nuk është thirrje për urrejtje apo hakmarrje. Ajo është thirrje për të vërtetën. Dhe e vërteta është se asnjë popull nuk mund të jetojë përgjithmonë pa liri dhe pa njohjen e dinjitetit të tij njerëzor. E vërteta është gjithashtu se paqja nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e historisë së tjetrit. Nuk ka paqe të qëndrueshme aty ku kërkohet nga disa t’i harrojnë të vdekurit, të dëbuarit dhe shtëpitë e djegura që të tjerët të jetojnë pa u përballur me përgjegjësinë morale.

Nakba sot është më shumë se një përvojë palestineze. Ajo është pasqyrë e ndërgjegjes së botës. Në çdo fëmijë që rritet në një kamp refugjatësh, në çdo nënë që e ruan çelësin e shtëpisë ku kurrë nuk u kthye, në çdo plak që mban mend emrin e fshatit nga i cili u dëbua, përmban një pyetje për njerëzimin: a mund të vonohet drejtësia kaq shumë dhe megjithatë të mbetet drejtësi?!

Prandaj kujtimi ka kuptim. Sepse harresa do të ishte vdekja e dytë e një populli. Kujtimi e ruan të vërtetën se Palestina nuk ishte tokë bosh. Kujtimi ruan zërat e atyre që u dëbuan, por nuk u zhdukën. Kujtimi e ruan detyrën morale të botës që të mos pranojë që forca do ta zëvendësojë drejtësinë.

Historia na mëson se asnjë padrejtësi nuk zgjat përjetë, edhe pse mund të zgjasë shumë dhe me dhimbje. Perandoritë kanë rënë, muret janë shembur, aparteidi është rrëzuar, ndërgjegjja njerëzore, ngadalë dhe shumë vonë, gjithsesi e ka gjetur rrugën drejt së vërtetës. Prandaj çështja palestineze mbetet një plagë e hapur e njerëzimit që kërkon jo vetëm një zgjidhje politike, por edhe një përballje morale me realitetin.

Në përvjetorin e shtatëdhjetë e tetë të Nakbës, kujtimi nuk është vetëm një akt trishtimi. Ai është një akt dinjiteti njerëzor. Ai thotë se një popull që kujton nuk është ngadhënjyer. Ai thotë se e vërteta mund të shtypet, por jo të shkatërrohet. Dhe ai i kujton botës se paqja nuk do të vijë kur njëra palë hesht tjetrën, por kur palestinezët dhe hebrenjtë të mund të jetojnë në drejtësi, siguri dhe njohje të ndërsjellë.

Sepse asnjë nënë nuk duhet të qajë fëmijën për shkak të politikës së pushtetit. Asnjë fëmijë nuk duhet të rritet nën qiellin e frikës. Dhe asnjë popull nuk duhet të dënohet të jetojë për gati tetë dekada mes mërgimit dhe pritjes për drejtësi.

Prandaj kujtimi i Nakbës mbetet një detyrë morale. Jo kundër dikujt, por për të vërtetën. Jo për thellimin e urrejtjes, por për ruajtjen e ndërgjegjes njerëzore. Sepse njerëzimi që harron vuajtjet e palestinezëve rrezikon të harrojë edhe aftësinë e vet për drejtësi.

Autor: Mustafa Cerić

Përkthim: Redaksia
[xhamiarabia.info]