Ti më thua: “Ishte një vit i keq, por falë Zotit e kaluam.”
Nëse me “kaluam” nënkupton se thjesht jemi gjallë, atëherë po. Por shpëtimi i vërtetë nuk është asgjë tjetër veçse kalimi mbi Urën e Siratit dhe hyrja në Xhennet. Çdo gjë tjetër është vetëm një fitore e përkohshme.
Fitorja nuk është thjesht të jetosh, dhe humbja nuk është thjesht të vdesësh. Rëndësi ka si jeton dhe për çfarë vdes.
Teksa shkruaj, më kujtohet Mus’ab ibn Umejri radhiAllahu anhu në Uhud. I ri, i bukur, i pasur e i përkëdhelur mes kurejshëve, por atë ditë dergjej mbi rërën e shkretëtirës… Pëlhura e lífit nuk u mjaftonte për t’ia mbuluar trupin: nëse i mbulonin kokën, i zbuloheshin këmbët; nëse i mbulonin këmbët, i zbulohej koka.
Sipas peshores së kësaj bote, duket si një fund i trishtë. Por në të vërtetë, atë ditë Mus’abi përjetoi çastin më të madhërueshëm të jetës së tij.
Nëse jeta do të ishte vetëm mbijetesë, shumë njerëz kanë mbijetuar. Pyetja e vetme që duhet të na shqetësojë është:
Si do të jetë nata jonë e parë në varr?
A do të jetë një kopsht nga kopshtet e Xhennetit, apo një gropë nga gropat e Xhehennemit?
Atë ditë nuk do të të hyjë në punë as diploma e doktoraturës, nëse zemra jote nuk u ka dhënë përgjigje tri pyetjeve thelbësore:
– Kush është Zoti yt?
– Cila është feja jote?
– Kush është Pejgamberi yt?
Paqja dhe qetësia qofshin mbi zemrën tënde!
Autor: Ed’hem Sherkavi
Përkthim, redaksia