“All-llahut i përket pushteti në qiej dhe në Tokë, e nga ty kërkoi vetëm një kokërr si hua, Po ti u tregove koprrac. Ai krijoi shtatë dete, e nga ty dëshironte vetëm të derdhësh vetëm një pike loti, por sytë e tu mbetën të thatë.”
All-llahu u kërkoi robërve të Tij që të japin nga pasuria e tyre, dhe nga ajo që besimtari jep në këtë botë e krahasoi me një huazim, duke e shpresuar shpërblimin e All-llahut në Ahiret. Kjo sepse ajo që japin do t’u kthehet, jo në të njëjtën formë siç e dhanë, por do t’u shumëfishohet.
All-llahu i Lartësuar ka shpallur:
“Kush do t’i japë All-llahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish? All-llahu e shtrëngon (riskun) dhe e liron; tek Ai do të ktheheni.” [El-Bekare 245]
All-llahu nuk ka nevojë për hua. Përmendja e huas është nxitje për sadaka, sepse All-llahu i Madhërishëm e ka barazuar ndihmën për të varfërit me ndihmën për Veten e Tij.
Për të sëmurin ka thënë:
„O biri i Ademit (njeri), unë isha i sëmurë e ti nuk më vizitove!?“ Njeriu do të thotë: „Zot, si të të vizitoj, kur Ti je Zoti i botëve?“ All-llahu do të thotë: „A nuk e dije se shërbëtori im ky dhe ky ishte i sëmurë, e ti nuk e vizitove?!“ Hadith kudsij shumë i njohur, i transmetuar nga Ebu Hurejra (r.a.), ku All-llahu i Madhëruar e thekson rëndësinë e kujdesit për njerëzit në nevojë.
Kur All-llahu thotë:”Unë isha i sëmurë e ti nuk më vizitove”, nuk nënkupton se All-llahu sëmuret, sepse Ai është i përsosur dhe i Lartësuar mbi çdo mangësi. All-llahu po i referohet robit të Tij që ishte i sëmurë dhe që nuk u vizitua.
Vizita e të sëmurit paraqet vepër shumë të madhe adhurimi. Ndihma, kujdesi dhe mëshira ndaj njerëzve janë mënyra për t’u afruar tek All-llahu. Kush kujdeset për robërit e All-llahut, e fiton kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij.
Pjesa “po ta kishe vizituar, do të më kishe gjetur tek ai” e tregon afërsinë e mëshirës dhe ndihmës së All-llahut me personin e sprovuar dhe madhështinë e shpërblimit për atë që e viziton.
Nëse All-llahu është Ai në Dorën e të Cilit është pushteti në qiej dhe Tokë, dhe i ka premtuar besimtarit që do t’ia shumëfishojë atë që jep, atëherë çfarë e shtyn atë të jetë koprrac?!
Në hadith thuhet se All-llahu i Madhërishëm ka thënë:
„O biri i Ademit (njeri), jep, që edhe unë të të jap ty.“
All-llahu nxit në përulësi, devotshmëri dhe frikërespekt, dhe e ka shpjeguar vlerën dhe shpërblimin për ata që janë të tillë. Përulësia, devotshmëria dhe frika nga Zoti është respekt i thellë në zemër, dhe shenjat e saj duken në trup, ndërsa sytë rrjedhin lot. All-llahu dëshiron t’i shohë shenjat e përulësisë së robit të Tij përmes lotëve.
Në hadith thuhet:
“Nuk do të hyjë në zjarr njeriu që qan nga frika e All-llahut, derisa qumështi të kthehet në gji (në gjirin e kafshës).”
Zemra që preket nga frika e All-llahut dhe derdh lot të sinqertë është shenjë e imanit të fortë dhe një shkak i madh për fitimin e mëshirës së Mëshirëplotit.
Redaksia,
[xhamiarabia.info]