Në mesin e as’habëve (shokëve të Pejgamberit të All-llahut) ishte një burrë me emrin Xhulejbib (r.a.).
Ai nuk rridhte nga ndonjë familje e ngritur.
Nuk kishte as pasuri e as ndonjë pozitë për të cilën njerëzit do ta vlerësonin në veçanti.
Në një shoqëri ku prejardhja kishte peshë të madhe, ai ishte nga ata njerëz që lehtësisht mund të lihen mënjanë.
Mirëpo, Pejgamberi i All-llahut s.a.v.s. nuk e la mënjanë.
Pas një beteje, as’habët po kërkonin të rënët. Pejgamberi i All-llahut s.a.v.s. i pyeti: “A po ju mungon dikush?”
Ata përmendën disa emra. Ai i pyeti sërish.
E më pas tha: “Kurse mua më mungon Xhulejbibi.”
Kërkuan derisa e gjetën mes të rënëve.
Pejgamberi i All-llahut s.a.v.s. iu afrua dhe tha: *“Ai është prej meje, e unë jam prej tij.”
Më pas e mori me duart e veta dhe mori pjesë në varrosjen e tij.
Çfarë çasti për një njeri që të tjerët ndoshta mezi e vërenin!
Njerëzit mund ta kishin harruar emrin e tij.
Por Pejgamberi i All-llahut s.a.v.s, jo.
Ndoshta edhe mes nesh ka njerëz për të cilët askush nuk pyet se ku janë.
Njerëz, mungesa e të cilëve nuk vihet re.
Që nuk kanë pozitë, para e as një mbiemër që ua hap rrugën ose u bën vend mes njerëzve.
Pejgamberi i All-llahut s.a.v.s. me shembullin e tij na mëson se vlerën e njeriut nuk e përcakton ajo se sa shumë e vërejnë të tjerët.
Ndonjëherë, pikërisht ai që njerëzit mezi e shohin, ka një vlerë shumë të madhe tek All-llahu i Madhërishëm.
Redaksia