Nga fundi i jetës së tij, i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. shkoi te varrezat e dëshmorëve të Uhudit dhe bëri dua për ta. Pastaj u ngjit në minber dhe iu drejtua njerëzve me fjalë që vlen të lexohen dhe të reflektohen edhe sot:
“Pasha All-llahun, unë nuk kam frikë për ju se pas meje do të bëni shirk, por kam frikë se do të garoni në të mirat e dunjasë.” (E transmeton Ukbe ibn Amir r.a.; e shënojnë Buhariu dhe Muslimi).
Ai nuk frikësohej vetëm nga varfëria për Ummetin e tij; frikësohej edhe nga ajo që mund të ndodhë kur dunjaja bëhet prioritet dhe synim kryesor.
Kur njeriu fillon të shohë se çfarë posedojnë të tjerët: kush ka shtëpi më të madhe, veturë më të mirë, më shumë para, pozitë më të lartë… Dhe kur jeta, pak nga pak, shndërrohet në një garë ku askush në të vërtetë nuk e di se ku është fundi.
Pasuria, në vetvete, nuk është problem.
Problemi fillon kur për shkak të saj njerëzit bëhen rivalë, kur për shkak të saj prishen marrëdhëniet dhe kur njeriu fillon ta matë vlerën e vet vetëm në bazë të asaj që zotëron.
Pejgamberi s.a.v.s. para katërmbëdhjetë shekujsh e paralajmëroi Ummetin e tij pikërisht për këtë lloj gare.
Ndoshta prandaj sot nuk na nevojitet më shumë, por të mësojmë se kur dhe çfarë është mjaftueshme.
Redaksia