59/365 — Si i mësoi njerëzit të mos heqin dorë nga vetja?

I Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., tregoi historinë e rëndë të një njeriu, për të cilin shumëkush do të thoshte se nuk kishte më kthim pas.
Ai kishte vrarë nëntëdhjetë e nëntë veta. Pastaj filloi të kërkonte përgjigje për një pyetje të vetme që e mundonte: A ka për mua pendim?
Së pari shkoi te një njeri i devotshëm, i cili i tha se nuk kishte falje për të. Pas kësaj, e vrau edhe atë, duke e çuar numrin e viktimave në njëqind.

Por ai nuk pushoi së kërkuari rrugën e kthimit.
Mandej takoi një dijetar dhe e pyeti sërish nëse kishte pendim për të. Kësaj here mori një përgjigje krejt tjetër:
“Po. E kush mund të të pengojë të pendohesh?” (Transmeton Ebu Seid el-Hudri, r.a.; e shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
Dijetari e këshilloi të largohej nga mjedisi ku jetonte dhe të shkonte te njerëzit e mirë. Ai u nis, por nuk mbërriti dot. Vdekja e arriti rrugës për te vendi i sugjeruar, megjithatë All-llahu e pranoi pendimin e tij të sinqertë dhe ai u la në kujdesin e melekëve të mëshirës.

Me këtë histori, Pejgamberi, s.a.v.s., nuk e zbehu peshën e mëkatit. Ai tregoi diçka tjetër: njeriu mund të shkojë tmerrësisht larg, por për sa kohë është gjallë, dyert e kthimit te Zoti nuk janë të mbyllura.
Prandaj, mos i thuaj kurrë askujt se për të nuk ka më shpresë. Dhe mos ia thuaj këtë as vetes.

Redaksia