61/365 — Si reagonte Muhammedi s.a.v.s. kur dikush i gjykonte qëllimet e të tjerëve?

Usame ibn Zejdi, r.a., po luftonte kundër një njeriu që më parë kishte vrarë muslimanë.
Kur Usamja e arriti dhe ngriti armën për ta goditur, ai njeri shqiptoi: “La ilahe il-lallah.”
Duke menduar se ai e tha këtë vetëm për ta shpëtuar jetën, Usamja e vrau.

Kur i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., mori vesh se çfarë kishte ndodhur, e pyeti:
— “A e vrave pasi tha: La ilahe il-lallah?”
Usamja u përpoq të justifikohej:
— “O i Dërguar i All-llahut, e tha vetëm nga frika e armës.”
Atëherë Pejgamberi, a.s., i tha:
— “A ia hape zemrën, që të dish nëse e tha për këtë arsye apo jo?” (Transmeton Usame ibn Zejd, r.a.; E shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Usamja tregon se Pejgamberi, a.s., ia përsëriste këtë aq shumë, saqë ai dëshironte të mos kishte qenë musliman para asaj dite, që kjo ngjarje t’i shlyente gjynahet e mëparshme.
Mësimi nga kjo ngjarje është shumë më i gjerë se vetë ndodhia.
Ne e shohim vetëm atë që bën njeriu dhe dëgjojmë atë që e thotë, por nuk mund ta shohim zemrën e tij.
Dhe sa shpesh e kalojmë pikërisht këtë kufi:
“E di unë pse e bëri këtë.”
“ shtiret.”
“E bën që ta shohin njerëzit.”
“Nuk e ka qëllimin e mirë.” Etj…

Pejgamberi s.a.v.s. ., na mësoi që të jemi të kujdesshëm kur gjykojmë për atë që i përket zemrës, sepse zemra e tjetrit nuk është gjë ku ne kemi qasje.

Redaksia