Në mesin e sahabëve kishte një njeri me emrin Abdullah, i cili vuante nga vesi i pirjes së alkoolit. Për shkak të këtij gabimi, ai ishte ndëshkuar edhe më parë, por sërish e kishte përsëritur dhe ishte sjellë sërish para Pejgamberit (s.a.v.s.).
Njëri nga pranishmit, i lodhur duke e parë se si përsëriste të njëjtin gabim, tha:
“O All-llah, mallkuar qoftë! Sa shpesh po e sjellin!”
Pejgamberi (s.a.v.s.) e ndaloi menjëherë dhe i tha:
“Mos e mallkoni! Pasha All-llahun, unë e di se ai e do All-llahun dhe të Dërguarin e Tij.”
Këtu vërejmë një ekuilibër të jashtëzakonshëm:
– Mëkati nuk u arsyetua.
– Ndëshkimi nuk mungoi.
– Por nuk u lejua që njeriu të mallkohej për shkak të gabimit të tij.
Për këtë qasje kemi jashtëzakonisht shumë nevojë në kohën tonë.
Shpesh shohim dikë që lufton me të njëjtën dobësi prej vitesh. Ai premton se nuk do ta bëjë më, por prapë gabon; pendohet, e megjithatë bie sërish në të njëjtin lak.
Është shumë e lehtë të thuash: “Prej këtij nuk bëhet më njeri!”
Por Pejgamberi (s.a.v.s.) na mëson diçka tjetër: ne mund ta dënojmë veprimin dhe e dimë se sa herë ai ka rënë… megjithatë, nuk e dimë se çfarë mirësie ka mbetur ende në zemrën e tij.
Dikujt që tashmë është duke rënë, ndoshta më së paku i duhet një shtytje tjetër për ta hedhur edhe më poshtë.
Redaksia