Para njerëzve të tjerë, është relativisht e lehtë ta shfaqësh anën tënde më të mirë.
I zgjedhim fjalët, i kontrollojmë reagimet dhe përpiqemi të lëmë përshtypje të bukur.
Por i Dërguari I All-llahut s.a.v.s. vlerën e njeriut e lidhi me vendin ku njerëzit e njohin më së miri — me shtëpinë e tij.
Ai tha: “Më të mirët prej jush janë ata që janë më të mirë me familjen e tyre, dhe unë jam më i miri me familjen time.” (E transmeton Aishja, r.a. E shënon Tirmidhiu.)
Në shtëpi nuk ka shumë shtirje.
Aty na shohin të lodhur, të shqetësuar, nervozë dhe të ngarkuar.
Prandaj ahlaku i bukur nuk tregohet vetëm ndaj mysafirit apo kolegut.
Nëse duam ta dimë sa e kemi përmirësuar vërtet karakterin tonë, mirë është të shohim si flasim me ata që jetojnë me ne për çdo ditë.
Sepse pikërisht ata e ndiejnë më së shumti se si jemi kur mbyllen dyert e shtëpisë.
Redaksia