64/365 – Si i mësonte njerëzit të silleshin në vende publike?

Sahabët kishin zakon të uleshin pranë rrugëve dhe të bisedonin.
Njëherë, i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. u tha: “Ruajuni uljes nëpër rrugë.”
Ata u përgjigjën se ato ishin vendet ku takoheshin dhe bisedonin.
Atëherë ai nuk ua ndaloi uljen, por u tha: “Nëse patjetër duhet të uleni, atëherë jepjani rrugës të drejtën e saj.”
Ata pyetën: “Cila është e drejta e rrugës?”
Ai u përgjigj: “Ulja e shikimit, mosshqetësimi i njerëzve, kthimi i selamit, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.”

Sa udhëzim i bukur dhe i nevojshëm është ky për kohën tonë!
Në rrugë, në hyrje të ndërtesës, në parking, në radhë te dyqani, në transportin publik apo në lagje, besimtari nuk mendon vetëm për atë që i përshtatet atij. Ai mendon edhe për të tjerët.

A po e pengon kalimin e dikujt?
A po bën zhurmë të panevojshme?
A po shikon atë që nuk i takon ta shohë?
I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. na mësoi se edhe hapësirat që ndajmë me të tjerët i kanë të drejtat e tyre. Respektimi i tyre është pjesë e moralit dhe e besimit.

Redaksia