Festimi i Halloween-it (Nata e Shtrigave) në Arabinë Saudite

Halloween-i, i njohur në disa gjuhë si Nata e Shtrigave ose Nata e Magjistarëve, shënohet çdo vit më 31 tetor, në prag të festës së krishterë të Të Gjithë Shenjtorëve (1 nëntor).

Sot, kjo festë lidhet me maskimet, kungujt e gdhendur, kostumet e personazheve të frikshme dhe traditën e kërkimit të ëmbëlsirave nga fëmijët. Ajo ka origjinë të lashtë pagane dhe rrënjët e saj shtrihen më shumë se 2.000 vjet në të kaluarën.

Origjina e Halloween-it lidhet me festën kelte Samhain, që festohet në territorin e Irlandës së sotme dhe në treva të tjera kelte. Sipas besimeve popullore të asaj kohe, gjatë kësaj nate kufiri mes botës së të gjallëve dhe asaj të të vdekurve konsiderohej i hollë. Njerëzit ndiznin zjarre dhe maskoheshin për t’u mbrojtur nga shpirtrat e këqij.

Me përhapjen e krishterimit në Evropë, u vendos festa e Të Gjithë Shenjtorëve më 1 nëntor. Mbrëmja para saj quhej All Hallows’ Eve (Mbrëmja para Të Gjithë Shenjtorëve), nga e cila më vonë u zhvillua emri Halloween. Me kalimin e kohës, traditat pagane dhe ato të krishtera u ndërthurën, duke formuar festën që njihet sot.

Qëndrimi i Islamit ndaj festave pagane dhe joislame

Sipas mësimeve islame, muslimanët janë të urdhëruar të ruajnë veçantinë e festave të tyre fetare. Kur i Dërguari i All-llahut, Muhammedi s.a.v.s. , erdhi në Medinë dhe pa se banorët kremtonin dy festa të trashëguara nga periudha paraislame, tha:
“All-llahu ua ka zëvendësuar ato me dy ditë më të mira: Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin.” (Suneni i Ebu Davudit, nr. 1134)
Gjithashtu, ai ka thënë:
“Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.” (Suneni i Ebu Davudit, nr. 4031)

Duke u mbështetur në këto argumente dhe në konceptin e teshebbuhut (imitimit të veçorive fetare të bashkësive të tjera), shumë dijetarë islamë konsiderojnë se pjesëmarrja në festimin e Halloween-it nuk është e lejuar për muslimanët për shkak të origjinës dhe simbolikës së tij pagane e joislame.

Redaksia