65/365 — Si reagonte Muhamedi s.a.v.s. kur dikush gabonte para njerëzve?

Muavij ibn el-Hakemi, r.a., u fal pas të Dërguarit të All-llahut, s.a.v.s. Gjatë namazit, dikush teshtiu, kurse ai i tha: “Jerhamukellah – All-llahu të mëshiroftë.”
Njerëzit filluan t’i bënin shenja me sy që të heshtte. Muaviu nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte, prandaj vazhdoi.

Pas namazit, i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., e udhëzoi se si duhet vepruar.
Më vonë, Muaviu ka thënë: “Pasha All-llahun, nuk kam parë mësues më të mirë se ai. Nuk më qortoi, nuk më goditi dhe nuk më ofendoi.”

I Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., thjesht ia shpjegoi se në namaz nuk lejohet të flitet bisedë e zakonshme njerëzore.
E korrigjoi gabimin, por nuk e poshtëroi njeriun pse nuk dinte se si duhet vepruar.

Ky është një mësim që shpesh na mungon.
Kur dikush gabon para të tjerëve, mund t’ia shpjegojmë ku ka gabuar pa tallje, pa zhurmë dhe pa poshtërim publik.
Sepse jo çdo gabim është mendjemadhësi. Ndonjëherë njeriu thjesht nuk di.

Redaksia