67/365 — Si reagonte Pejgamberi s.a.v.s. kur dikush përhapte gjithçka që dëgjonte?

Njeriu nuk ka nevojë të shpikë gënjeshtra për të shkaktuar dëm; i mjafton të përcjellë çdo gjë që i vjen në vesh.
I Dërguari i All-llahut, sal-lAllahu alejhi ve selem, ka paralajmëruar:
„I mjafton një njeriu për gënjeshtër (mëkat) që të përcjellë gjithçka që dëgjon.“ (Transmeton Ebu Hurejra r.a.; e shënon Muslimi).

Sa aktuale është kjo sot!
– Mbërrin një mesazh në grup — e përcjellim.
– Dëgjohet një histori për dikë — e përhapim më tej.
– Shfaqet një lajm në rrjetet sociale — e ndajmë pa e verifikuar fare.
– Dhe pastaj arsyetohemi: „Unë vetëm e përcolla atë që dëgjova.“

Pikërisht për këtë na paralajmëron i Dërguari i All-llahut s.a.v.s.
Jo çdo informacion që e dëgjojmë apo lexojmë duhet të përhapet. Përgjegjësia jonë morale dhe fetare qëndron pikërisht këtu: që zinxhiri i dezinformimit apo i fjalëve të kota të ndalet te ne.

Redaksia