68/365 — Si reagonte Muhammedi s.a.v.s. ndaj dyshimeve dhe kërkimit të të metave te të tjerët?

Pejgamberi s.a.v.s. paralajmëroi për diçka që shumë shpejt mund t’i shkatërrojë marrëdhëniet ndërnjerëzore:
“Ruajuni nga dyshimet, sepse dyshimi është fjala më e rreme. Mos spiunoni dhe mos përgjoni njëri-tjetrin, mos e keni zili njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe mos e urreni njëri-tjetrin. O robër të All-llahut, bëhuni vëllezër!”

Sa shumë probleme mes njerëzve fillojnë pikërisht në këtë mënyrë.
Shohim diçka dhe e plotësojmë pjesën tjetër me paragjykime. Dëgjojmë një fjalë dhe fillojmë të hetojmë. Vërejmë një gabim te dikush dhe vazhdojmë të gërmojmë derisa të gjejmë edhe të tjera.

Por Pejgamberi i All-llahut s.a.v.s. nuk na ka mësuar të jemi hetues të njëri-tjetrit. Ka gjëra që nuk është e nevojshme t’i dimë për të tjerët. Nëse dikush nuk na ka dhënë arsye të dyshojmë për të, nuk duhet t’i atribuojmë fajra pa dëshmi.

Për të ruajtur marrëdhënie të shëndetshme dhe zemra të pastra, shpesh mjafton të mos kërkojmë atë që nuk na është treguar.

Redaksia