Një njeri erdhi te i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., për t’i kërkuar shlyerjen e borxhit. Ai i foli ashpër, ndaj sahabët reaguan menjëherë.
I Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., i ndaloi dhe u kujtoi se çdo njeri ka të drejtë ta kërkojë atë që i takon. Atij i kishte borxh një deve.
Ata kërkuan një deve që i përgjigjej kriterit, por gjetën vetëm një që ishte më e mirë se ajo që duhej t’i kthente. Atëherë ai tha: “Jepjani atë, sepse më të mirët ndër ju janë ata që i shlyejnë borxhet në mënyrën më të mirë.” Kështu, ai nuk lejoi që vrazhdësia e atij njeriu ta shmangte nga përmbushja e ndershme e detyrimit të tij.
Kjo është një sjellje për të cilën kemi nevojë edhe sot. Dikush na huazon para kur jemi në vështirësi, na gjendet pranë dhe i beson fjalës sonë.
Megjithatë, shpesh ndodh e kundërta: atij i vjen zor të kërkojë paratë e veta; i duhet të telefonojë, të na kujtojë dhe të arsyetohet se edhe atij i nevojiten. Pas një huaje qëndron besimi. Ai person na ndihmoi sepse besoi se do ta mbanim fjalën tonë.
Është fisnike ta kthesh borxhin në atë mënyrë që ai që na ndihmoi të mos pendohet kurrë për mirësinë e tij.
Redaksia