Kur shesim diçka, ne dimë diçka që blerësi ndoshta nuk mund ta shohë:
– Çfarë është rregulluar.
– Çfarë nuk funksionon siç duhet.
– Çfarë kemi lënë pa përmendur në shpallje.
Pejgamberi (s.a.v.s.) e lidhi bereqetin në tregti me sinqeritetin dhe shpjegimin e qartë. Duke folur për blerësin dhe shitësin, ai tha: “Nëse ata janë të sinqertë me njëri-tjetrin dhe ia shpjegojnë qartë gjithçka njëri-tjetrit, do të ketë bereqet në tregtinë e tyre.”
Sa praktike është kjo edhe sot!
Shesim një makinë, një telefon, një banesë apo diçka krejt të vogël. Blerësi na pyet nëse ka ndonjë mangësi, ndërsa ne mendojmë nëse do të tërhiqet po t’ia tregojmë gjithçka.
Pikërisht këtu shfaqet ndershmëria: në atë që themi, edhe kur kjo nuk është në favorin tonë. Njeriu që blen me paratë e veta ka të drejtë ta dijë se çfarë po merr. Ndoshta ka kursyer gjatë për atë blerje, ose na ka besuar pikërisht sepse na njeh.
Prandaj është e rëndësishme të themi edhe atë që mund ta vështirësojë shitjen tonë. Është bukur të fitosh në atë mënyrë që më pas të mund t’i dalësh për Zot, me qetësi, njeriut të cilit i ke shitur diçka.
Redaksia