I riu i karaktershëm, në rrugën e tij të madhe drejt qëllimeve më të larta të jetës njerëzore, patjetër duhet ta bartë me vete virtytin e fjalës se mbajtur. Ajo duhet të bëhet pjesë e tij.
Vetëm në këtë mënyrë e vetëm kështu hapet rruga kah përsosmëria e shpirtit.
Resulull-llahu s.a.v.s. ka thënë: “Premtimi është borxh”.
Ai që nuk e kryen këtë borxh hynë në radhën e atyre që nuk mund ta bartin cilësinë e njerëzve të aftë dhe të ndershëm. Eh sikur ta dinin të rinjtë se sa vlerë të çmueshme bartë me vete premtimi i dhënë dhe fjala e mbajtur! Sikur ta dinin se si shndrit fytyra e të riut që e ka këtë virtyt!
Në jetë ndeshim njerëz të ndryshëm. Kalojnë si lumi përreth nesh dhe pranë nesh. Jemi në kontakt me ta. Dhe ja, dallohen ata, të cilët, si shkëmbinjtë e lartë e të parrënueshëm, qëndrojnë përballë vërshimeve të jetës.
Këta janë njerëz në virtytet e të cilëve jemi të bindur. Të këtillët, nëse e kanë dhënë fjalën, do ta mbajnë.
Njerëzit e fjalës respektohen edhe nga ata që i duan edhe nga ata që nuk i duan.
Hapësira e fjalës së njeriut shtrihet që nga imtësitë më të vogla e deri te çështjet më themelore të jetës, deri në kuptimin dhe vetë thelbin e saj. Nëse premtoj se do ta kthej librin e huazuar në kohë të caktuar dhe këtë e bëj – kjo është fjalë e mbajtur. Nëse i premtoj shokut se do t’i ndihmoj në ndonjë punë dhe këtë premtim e mbaj, edhe kjo është fjalë e mbajtur.
Dhe një varg fjalësh të mbajtura e lindin njeriun e vërtetë.
Prandaj, duke filluar që nga fëmijëria, që nga shqiptimi i fjalëve të para, duhet mbjellë te fëmija frymën e fjalës së mbajtur, fjalëve të forta, frymën e premtimit të mbajtur, besa e dhënë te shqiptarët është e barabartë me vetë jetën e besë dhënësit. Duhet radhitur gur pas guri për ta ndërtuar ndërtesën madhështore të karakterit. Në këtë rrugë duhet të jemi të qëndrueshëm, të fortë, të pathyeshëm.
Dhe ja, një ditë, para nesh do të mbijë një kështjellë e madhe e zemrës njerëzore, e ndritshme, e shkëlqyeshme si dielli, e ngrohtë si zjarri diellor! Do të themi: Ky është njeri i vërtetë, njeri i besës.
Nëpërmjet një vargu veprash, në shikim të parë të vogla, gjatë tërë jetës së vet, njeriu e ka ndërtuar me durim veprën e madhe të besimit. E ka ndërtuar vlerën dhe peshën e fjalës së mbajtur (besës), që ia ka dhënë Krijuesit të vet, Zotit të botëve. Që në moshë të re, ai e ka premtuar besnikërinë e vet ndaj idealeve për çdo gjë të mirë dhe për çdo gjë të bukur.
Ky betim, ky premtim më i lartë dhe më i shenjtë, nuk ishte betim çasti ose dite. Ky ishte premtim i jetës dhe i tërë ekzistencës së njeriut.
Të jesh njeri i fjalës në këtë premtim më të lartë, është trimëri e çdo njeriu – e çdo djaloshi ose çdo vajze, që e synon përsosmërinë e shpirtit të vet. Fjala e dhënë i hap dyert e Xhennetit. Njeriu i mirë hyn ngadalë nëpër to në mëshirën e pakufishme të All-llahut të Madhërishëm.
Muslimanët e parë e bartën këtë parim si një gjë normale. Nuk mund ta paramendojmë se mu’mini mund të jetë njeri që nuk e mban fjalën. Në të vërtetë, të mos e mbash fjalën do të thotë të mos e përkrahësh vëllain tend, te mos e respektosh atë. Ai që nuk e nderon tjetrin, nuk e nderon as veten, e hedh dhe e shkatërron autoritetin e vet dhe dinjitetin e vet njerëzor. Besimtari këtë nuk guxon ta bëjë!
Këshilla e të urtëve thotë: “Duhet të jesh njeri i fjalës. Nga premtimi më i vogël deri te premtimi më i madh”. Kjo është rruga e drejtë. Apo jo? – Mu’mini, në të vërtetë, e ka për synim vetëm këtë rruge!
Redaksia,
[xhamiarabia.info]