Ji njeri i qetë dhe i rehatshëm

Njeriu, siç na mëson Kur’ani, është krijuar si qenie e dobët. Dhe vërtet, pavarësisht nëse ai ka jetuar në kulmin e ngritjes së ndonjë qytetërimi apo në fillimet e tij, gjithmonë ka treguar shenja të dobësisë së vet, para së gjithash përmes frikës.

Frika nga jeta dhe nga ajo që sjell jeta, frika nga sëmundjet, frika nga pleqëria, frika nga vdekja. I frikësohet varfërisë, por gjithashtu frikësohet edhe kur është në bollëk, sepse ka frikë të mos e humb. Nuk është thënë kot se shumë njerëz nga pasuria e tyre e kanë vetëm frikën të mos e humbin.

Në dëshirën për ta penguar rrjedhën e keqe të ndodhive të ardhshme, të cilat, meqë ra fjala, nuk janë vërtetuar nga asgjë, sepse ndodh vetëm ajo që All-llahu dëshiron të ndodhë; njeriu ka ndërtuar mure, ka ngritur diga, ka vendosur sisteme mbrojtjeje si në planin mikro ashtu edhe në atë makro, si në nivel individual ashtu edhe në atë kombëtar.

Në këtë koncept të vetëmbrojtjes investohen mjete të mëdha; nuk i kursejnë as individët, as politikat kombëtare. Kështu, për shembull, ditët e fundit po flitet për ndërtimin e një qendre moderne në të cilën do të strehoheshin shtresa të caktuara të shoqërisë në rast të Fundit të Botës. Humori më i madh i këtij lajmi është motra e tij binjake — dëshira e të pasurve perëndimorë për t’u vendosur në Mars, atëherë kur Toka të mos jetë më e përshtatshme për jetesë.

Nga të gjitha frikërat e njeriut, më së miri përfitojnë kompanitë e sigurimeve, industria ushtarake dhe të gjitha organizatat e institucionet e tjera që pasurohen jo pak në kurriz të tyre. Edhe vetë njeriu, për shkak të ditëve të zeza që po afrohen, krijon një fond të zi që do të duhej ta mbronte nga fatkeqësia, duke ia mohuar vetes edhe atë pak rehati që e ka merituar në këtë garë gjithnjë e më të përhapur me kohën dhe pasurinë, pa u pyetur asnjë çast: a nuk mund të jenë ato ditë të zeza, për shembull, të bardha?

Por, për ta thënë të vërtetën, janë të pakta edhe lajmet që flasin për zhvillime pozitive në shoqëri. Të gjitha lajmet reduktohen në kronikë të zezë, sepse për kronikën e bardhë nuk ka vend.

Flitet për largime nga puna, të cilat vërtet ekzistojnë, por nuk flitet për punësimet e reja, të cilat gjithashtu ekzistojnë. Flitet për sëmundjet, por jo edhe për njerëzit e shëruar nga sëmundje të ndryshme, madje edhe nga ato të pashërueshmet; flitet për errësirën, por askush nuk e ndezë të paktën një qiri; flitet edhe për Xhehenemin, por askush nuk na e hapë sadopak derën e Xhennetit; flitet për dënimin e All-llahut, ndërsa gjithnjë e më pak për mëshirën e Tij. Sikur edhe folësit edhe dëgjuesit të ishin abonuar në pesimizëm, e jo në optimizëm dhe realizëm.

Pra, çdo sistem dhe pothuajse çdo njeri i sheh ngjarjet e ardhshme, rrjedhën dhe degëzimet e të cilave nuk i njeh, më shumë ose më pak me pesimizëm. Në kurriz të këtij pesimizmi masiv dhe frikës nga e ardhmja që po vjen, individët dhe kompanitë në të tashmen jetojnë shumë rehat. Duke qenë se muslimanët e mbarë botës janë pjesë e këtij njerëzimi dhe se bindjet e tyre i përshtatin me mësimet e Islamit, ose të paktën kështu do të duhej të ishte, logjikisht shtrohet pyetja se si e sheh Islami prirjen e njeriut për ta siguruar shëndetin e tij, pasurinë, në fakt gjithçka që e bën jetën jetë.

Qëllimi ynë nuk është të hyjmë në debate sheriatike për këtë çështje, por përmes disa shembujve të thjeshtë dhe të besueshëm ta ofrojmë këndvështrimin islam mbi këtë pyetje të përmendur.

Në Islam nuk ka vend për defetizëm, por as për pesimizëm të theksuar, e as për optimizëm të tepruar. Islami është rruga e mesit, e maturisë, që njeriun nuk e bind se të gjitha gjërat do të përfundojnë pozitivisht, por as nuk e lë pa shpresë. Mesazhet kur’anore në kuptimin se All-llahu ndëshkon rëndë, si edhe se All-llahu është pafundësisht mëshirues, janë një dëshmi e bukur për këtë pohim.

Vështrimin drejt së ardhmes që po vjen Islami e ka përcaktuar me shtyllën e gjashtë të imanit, pra me besimin se gjithçka, e mirë apo e keqe, ndodh me vullnetin e Zotit dhe se ajo është shkruar prej kohësh në Libër, si dhe me tevekkulin — mbështetjen tek All-llahu. Shenja e parë e mëson njeriun se në jetë diçka nuk do të ndodhë për shkak të maces së zezë, për shkak të fluturimit të zogjve, apo për shkak të pozitës së këtij apo atij ylli, por për shkak të Vullnetit të Zotit; ndërsa shenja e dytë na mëson se Zoti është në anën tonë dhe se ajo që na ndodh gjithmonë përfundon në të mirën tonë, sado e keqe të duket në fillim.

Tevekkuli funksionon mbi parimin e lidhjes së devesë, me ç’rast aludohet në rastin e njohur të udhëzimit profetik ndaj një beduini, kur Pejgamberi a.s. i tha: “Lidhe devenë, pastaj mbështetu tek All-llahu”, domethënë: bëj nga ana jote gjithçka që mundesh, e pastaj beso se All-llahu do t’i drejtojë gjërat që të ecin sipas rrjedhës që dëshiron ti.

Veprimi islam në këtë çështje mund të kuptohet si parandalues. Ajo që sot në botën moderne shkakton lloje të ndryshme sëmundjesh — depresion, neurozë, çrregullime psikike etj. — të shkaktuara para së gjithash nga frika e ngjarjeve të ardhshme, Islami ua ka larguar me kohë pasuesve të vet: “Ajo që të ka goditur, kurrsesi nuk ka mundur të të shmangë, dhe ajo që të ka shmangur, kurrsesi nuk ka mundur të të godasë” — a nuk na çojnë këto fjalë të Pejgamberit a.s. pikërisht në atë drejtim?

Nëse as ato nuk janë të mjaftueshme, atëherë porositë e tij të mëtejshme, të drejtuara para së gjithash të riut Abdullah ibën Abbasit, e me këtë edhe çdo njeriu tjetër, pjesëtar i Ummetit të tij, duhet t’u përgjigjen shumë pyetjeve: “O i ri, dije se sikur e gjithë bota të bashkohej për të të sjellë ndonjë dobi, e All-llahu nuk ta ka caktuar atë, nuk do të mund t’ia dilnin; dhe sikur e gjithë bota të bashkohej për të të bërë ndonjë dëm, e All-llahu nuk ta ka caktuar atë, nuk do të mund t’ia dilnin.” Vërtet, në zemrën e besimtarit këto fjalë sjellin qetësinë dhe sigurinë e nevojshme.

Nëse ua shtojmë atyre faljen e namazit, leximin e rregullt të Kur’anit, si dhe dhikret që  transmetohen nga Pejgamberi a.s., se i ka lexuar në situata të ndryshme, ajo qetësi në zemër bëhet edhe më e pranishme, ndërsa vështrimi më i qetë ndaj gjërave që ndodhin rreth nesh bëhet më i kthjellët. Megjithatë, për sigurinë e vet, muslimani duhet të kujdeset, dhe mënyrat më të përshtatshme për këtë janë ato që e kanë themelin e tyre në mësimin islam. Prandaj edhe rekomandojmë si vijon:

Pasurinë tuaj sigurojeni me zekat, trupin tuaj me sadaka, ndërsa shëndetin tuaj me agjërim dhe me ushqim të matur. Shpirtin tuaj me dhikër dhe Kur’an, ndërsa veten me dua dhe namaz. Zgjateni jetën tuaj me vizitat e të afërmve, dhe mos e nxitoni as të mirën as të keqen; lërini të ndodhin vetë. Mbroni veten nga e keqja e të tjerëve, por mbroni edhe të tjerët nga e keqja juaj. Ji në paqe brenda vetes me veten, që të jesh në paqe edhe jashtë vetes me të tjerët. Sigurojani të ardhmen fëmijëve tuaj duke i ruajtur nga e tashmja. Të sotmen tuaj sigurojeni me kufijtë e ditës së sotme, ndërsa të nesërmen me kufijtë e së nesërmes. Dhe çfarëdo që t’ju ndodhë, dje, sot apo nesër, e mirë apo e keqe, mbajeni mend: ajo që ju ka goditur kurrsesi nuk ka mundur t’ju shmangë, dhe ajo që ju ka shmangur kurrsesi nuk ka mundur t’ju godasë. (Hadith)

Autori: Edin Memić

Redaksia,
[Xhamiarabia.info]