Metodat e edukimit të Muhammedit s.a.v.s. (2)

Ai që e mëson fenë, ai që dëshiron të edukojë në mënyrë të drejtë një brez njerëzish, duhet të jetë i dashur në mjedisin e tyre. Ai duhet të jetë i tillë që njerëzit mezi ta presin takimin e radhës me të për të mësuar diçka të re dhe për ta zbatuar atë.

Pejgamberi s.a.v.s. arriti ta fitojë besimin dhe dashurinë nga njerëzit. Shokët e tij e donin aq shumë sa mezi e prisnin takimin e radhës me të. Arritja e këtij niveli është vërtet i vështirë, por jo i pamundur nëse i ndjekim metodat e mësuesit më të mirë të të gjitha kohërave, Muhammedit s.a.v.s.

Një nga metodat e Pejgamberit s.a.v.s. në mësimin e njerëzve është mesatarja. Shekik Ibën Seleme thotë: “Abdullahu na mbante ligjërata çdo të enjte, dhe një njeri i tha: ‘O baba i Abdurrahmanit, fjala jote na pëlqen dhe ne e duam shumë. Me të vërtetë do të dëshironim që ti të na mbaje mësim për çdo ditë!’ Ai u përgjigj: ‘Nuk dua t’ju bëhem i mërzitshëm’ ‘Madje, edhe Pejgamberi i All-llahut s.a.v.s. na mbante mësim vetëm në ditë të caktuara, duke mos dashur të na mërzis!’”

Ekzistojnë edhe njerëz të atillë që të mësojnë gjithë kohën, ditë e natë. Shkon në takim tek ata dhe ata flasin pa pushim deri sa të vjen koha të kthehesh në shtëpi. Dije që kjo mënyrë e dhënies së mësimit nuk është e drejtë, sepse çdo gjë e ka kohën dhe vendin e vet.

Ibën Abbasi r.a. thotë: “Mësojini njerëzit një, dy ose, maksimumi, tri herë në javë, që të mos u bëhen i mërzitshëm Kur’ani.”

Ibn Mes’udi r.a. thotë: “Flituni njerëzve derisa t’ju shikojnë dhe t’ju dëgjojnë me vëmendje; e kur kjo të mungojë, atëherë ndaleni fjalimin…”

Një nga metodat e mësimit është edhe ndjenja për mjedisin ku ndodhemi. Përndryshe, kjo do të shkaktojë vetëm kundërefekt dhe huti.

Pejgamberi i All-llahut, i kushtonte vëmendje ndjenjave të sahabëve. Çdo zakon që është në ujdi me rregullat e fesë sonë të bukur nuk duhet prekur. Më e lehtë është të zhduket një popull i caktuar sesa t’i hiqen me forcë zakonet e tij.

Thuhet se imam Shafiu është falur, pranë varrit të Ebu Hanifës në Bagdad dhe nuk e ka lexuar kunut-duan në namazin e sabahut, ashtu siç ishte praktika dhe qëndrimi i tij i zakonshëm. Kur e pyetën për këtë, ai u përgjigj: “A nuk meriton pronari i këtij varri (mendon për Ebu Hanifën) të nderohet?!”

Imam Shafiu e dinte se gjendej aty ku njerëzit faleshin sipas medhhebit Hanefi dhe për këtë arsye veproi kështu, duke mos dashur të shkaktojë përçarje dhe keqkuptime mes njerëzve.

Ndonjëherë vërejmë individë që, duke dashur të zbatojnë ndonjë sunnete të namaz, të cilat përdoren në medhhebet e tjera, në atë mënyrë shkaktojnë huti dhe e prishin qetësinë e namazit. Harrojnë se uniteti dhe bashkimi janë farz, ndërsa ato veprime mund të jenë sunnet, ose madje mustehab.

Si imam i këtij xhemati kam marrë pyetje të ndryshme nga disa njerëz. Dhe kur u përgjigjesha me argumente kur’anore apo hadithe, ata përsëri vazhdonin si më parë. Ku është aty respekti? Ai respekt që imam Shafiu e tregoi ndaj Ebu Hanifës. Unë e di që nuk jam Ebu Hanifeja, por duhet ta dini edhe ju që nuk jeni si Shafiu. Për hir të paqes në shtëpi, për hir të unitetit të këtij xhemati, ju lutem mos ndaheni nga shumica. A mendoni se mënyra juaj është mënyra e vetme e drejtë gjatë praktikimit të fesë, ndërsa ajo që e kanë praktikuar paraardhësit tanë dhe që e praktikojnë miliona besimtarë anembanë botës është e gabuar?!

Pejgamberi s.a.v.s., thërriste në islam në mënyrën më të bukur dhe më të pranueshme, duke e paraqitur fenë të lehtë. Sa herë që paraqitej në dilemë midis dy mënyrash, gjithmonë e zgjidhte atë më të lehtën, përveç nëse ishte në kundërshtim me fenë. Ai u thoshte sahabëve: “Jeni dërguar për t’ua lehtësuar njerëzve, jo për t’ua bërë gjërat më të vështira.”

Pejgamberi s.a.v.s., ishte kundër teprimit në gjithçka, madje edhe në fe. Në këtë kontekst tha: “Kjo fe është me të vërtetë e fortë, prandaj hyni në të ngadalë, sepse ai që nxiton shumë (e ekzagjeron në fe) as nuk do të arrijë në qëllim dhe as nuk do ta lërë kalin e tij gjallë.”

Vëllezër, me teprim nuk nënkuptohen ata që i falin pesë namazet ditore ose e agjërojnë muajin ramazan. Jo! Kjo i përket atyre që fillojnë të veprojnë, siç thuhet në hadithin vijues: “Tre njerëz erdhën në shtëpinë e Pejgamberit të All-llahut, salallahu alejhi ve sel-lem, dhe pyetën për adhurimin e tyre, dhe kur u informuan, sikur iu duk e pamjaftueshme, dhe thanë: ‘Po ku jemi ne në krahasim me Pejgamberin e All-llahut, të cilit i janë falur mëkatet që ka bërë dhe do t’i bëjë!’ Njëri prej tyre tha: ‘Unë do t’i kaloj netët duke falur namaz!’ Tjetri tha: ‘Unë do të agjëroj vazhdimisht dhe nuk do ta ndërpres agjërimin!’ E i treti tha: ‘Unë do të jem krejtësisht i përmbajtur nga gratë dhe nuk do të martohem kurrë!’ Kur Pejgamberi, salallahu alejhi ve sel-lem, dëgjoi çfarë thanë këta, ju tha: “Pasha All-llahun, unë jam më i devotshmi nga ju, por unë agjëroj dhe e ndërpres agjërimin, fal namaz natën dhe fle, dhe martohem! Ai që lë mënyrën time të jetesës (sunnetin), nuk është prej meje!”

O Zoti ynë, na mëshiro dhe ndihmo në ndjekjen e Muhammedit s.a.v.s.!

Redaksia,
[xhamiarabia.info]