Koha, dritë e All-llahut në jetën tonë

Në këtë botë kalimtare, të cilën All-llahu i Madhërishëm e bëri vend prove dhe sprovash, njeriu qëndron vetëm për një kohë të shkurtër. Çdo orë, çdo çast që na jepet është amanet prej Tij. Nuk na lejohet ta shpërdorojmë këtë dhuratë Hyjnore, sepse për njeriun e drejtë dhe besimtar, humbja e kohës është humbje e vetë jetës. Jeta është detyrë e rëndë dhe e shenjtë, ndërsa vdekja është këshilltarja e heshtur që na kujton seriozitetin e kësaj detyre.

Njerëzit thonë: “Koha është flori”, por dini Islam na mëson se ajo është shumë më e çmuar se floriri, sepse ajo është vetë jeta jonë. Ajo është mjeti me të cilin e ndërtojmë Ahiretin. Qëndrimi ynë ndaj kohës është qëndrimi ynë ndaj dhuratës së Krijuesit të Madhërishëm.

Në këtë jetë të kufizuar, secili prej nesh ka detyra që i janë besuar nga Krijuesi. Këto nuk janë thjesht obligime shoqërore, por urdhra të All-llahut të Madhërishëm dhe njeriu i sinqertë nuk guxon të jetë i pakujdesshëm ndaj tyre. Çdo njeri e ka misionin e vet në Tokë, dhe askush nuk duhet ta tradhtojë këtë amanet Hyjnor.

Kur i shoh veprat e dijetarëve të mëdhenj, shpesh e pyes veten: “Si kanë mundur të lënë pas vetes kaq shumë dije në një jetë kaq të shkurtër?” Shembulli i Imam Gazaliut është i mrekullueshëm: jetoi 55 vjet, por pas vetes la rreth 700 vepra. Ai e shfrytëzoi kohën e tij me një mençuri që vetëm zemrat e lidhura me All-llahun mund ta arrijnë dhe kuptojnë. Ai e kuptoi se koha është kapitali i besimtarit dhe se çdo çast duhet të jetë në shërbim të së vërtetës.

Ashtu vepruan edhe Biruniu, Ibn Rushdi, Ibn Halduni dhe shumë dijetarë të tjerë. Ata e çmuan kohën si dhuratë të All-llahut dhe nuk e humbën asnjë moment kot. Prandaj edhe veprat e tyre mbetën dritë për njerëzimin.

Edhe të rinjtë që e duan Zotin dhe e respektojnë jetën që Ai ua ka dhënë, duhet ta mësojnë që herët artin e shfrytëzimit të kohës. Çdo fillim i hershëm është bereqet. Çdo vonesë është humbje.

Nëse një i ri mëson një aftësi të dobishme në moshë të re, ai ka dekada për ta përdorur atë në shërbim të vetes dhe të shoqërisë. Por nëse vonohet, pakësohet periudha e dobisë së tij. Kjo është natyra e kohës: ajo ikën, dhe me të ikin edhe mundësitë e bamirësisë.

Në një orë të vjetër në Oksford shkruan: “Koha po kalon, por për të jepet llogari.” Ky është thelbi i besimit tonë: çdo çast është emanet, dhe për çdo emanet do të japim llogari para All-llahut të Madhërishëm. Askush nuk e di kur do të vijë çasti i fundit. Vetëm e dimë se duhet të punojmë me nder, me sinqeritet dhe me emrin e All-llahut të mbjellë në zemër.

Koha nuk ndalon. Ajo i thërret të zellshmit, të vendosurit, të sinqertët. Para çdo njeriu qëndron një detyrë e madhe: të ndërtojë veten, të ndërtojë shpirtin, të ndërtojë veprat që do ta shoqërojnë në Ditën e Gjykimit.

Edukimi shpirtëror është puna më e vlefshme. Ajo nuk ka fund, sepse rruga drejt All-llahut është e pafundme në thellësi dhe bukuri.

Vitet e rinisë janë pasuria më e madhe. Ato nuk kthehen më. Ato i takojnë vdekjes sapo të kalojnë. Prandaj i riu duhet të mendojë për vdekjen, jo për t’u frikësuar, por për t’u zgjuar. Vdekja nuk është fundi i gjithçkaje; ajo është porta drejt botës së përhershme. Jeta është detyrë, vdekja është kalim, ndërsa ahireti është qëllimi.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “All-llahu mos e bekoftë ditën në të cilën nuk kam mësuar diçka të re.”

Hasan Basriu thoshte: “Çdo ditë i thotë njeriut: Unë jam ditë e re dhe do të dëshmoj për ty. Punon mirë apo keq, unë do të mbaj shënim. Kur të largohem, nuk kthehem më.”

Jahja ibn Muadh er-Razi këshillon: “Nata është e gjatë, mos e shkurto me gjumë. Dita është e shenjtë, mos e ndot me mëkate.”

Shumë djetarë e kanë theksuar këtë urtësi: “Katër gjëra nuk kthehen kurrë: fjala e thënë, shigjeta e hedhur, koha e kaluar dhe rasti i humbur.”

Redaksia