27/365 — Si sillej Muhammedi s.a.v.s. me mysafirin?

Mysafiri në shtëpinë e të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. kishte të drejtën e vet.
Ai ka thënë: “Kush beson në All-llahun dhe në Ditën e Gjykimit, le ta nderojë mysafirin e tij.”
(E transmeton Ebu Hurejre, radijallahu anhu. E shënojnë Buhariu dhe Muslimi)

Është me rëndësi të shihet se ku e vendosi i Dërguari i All-llahut s.a.v.s mikpritjen:
bashkë me besimin në All-llahun dhe në Ditën e Gjykimit.

Pra, t’ia hapësh dikujt derën, t’i ofrosh vend, ushqim dhe një fjalë të mirë, nuk është gjë e vogël.

Por mikpritja nuk do të thotë domosdoshmërisht sofrën e mbushur plot.
Nuk do të thotë shpenzim për të cilin pastaj do të ankohemi.

Nganjëherë mjafton që njeriu të ndiejë se është i mirëpritur.
Të gëzohesh për ardhjen e tij.
Të ulesh me të.
Të ndash atë që ke, pa u turpëruar pse nuk ke më shumë.
I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. na ka mësuar se mysafiri ka të drejtë për pritje të mirë, ndërsa mikpritja zgjat tri ditë; ajo që është përtej kësaj llogaritet sadaka.
Prandaj mysafiri nuk pritet duke treguar çfarë kemi.
Pritet duke treguar se sa na gëzon ardhja e tij.

Redaksia