Metodat e edukimit të Muhammedit a.s. (1)

Rreth të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit a.s., janë shkruar mijëra e mijëra libra. Për atë kanë shkruar si muslimanë ashtu edhe jomuslimanët. Por pavarësisht se për të është shkruar dhe është folur kaq shumë në të kaluarën, edhe sot e kësaj dite vazhdohet po njësoj. Dhe sa herë që lexojmë apo dëgjojmë diçka për Muhammedin a.s., përsëri habitemi dhe çuditemi për karakterin, jetën dhe veprën e tij.

Shumë pyesin: Si arriti Muhammedi a.s. që nga njerëzit që ishin barbarë, nomadë, njerëz që jetonin në mënyrë të egër, për vetëm disa vjet të krijojë njerëz që do të jenë shembull në besim dhe frikë ndaj Zotit?

Një shkrimtar krishterë thotë: “Muhammedi arriti në një periudhë shumë të shkurtër kohore të bëjë një revolucion moral, shpirtëror dhe shoqëror, që askush në histori nuk ia ka dalë.”

Shumë prej nesh edhe sot përpiqen të bëjnë diçka të ngjashme, por nuk ju shkon. Nuk mundemi as fëmijën tonë ta udhëzojmë në rrugën e drejtë, e lëre më dikë tjetër. Dhe pse është kështu?

Sepse, vëllezër të dashur, ne sot përpiqemi t’i rrisim fëmijët tanë bazuar në këshillat e “shejh Google-it”, ose në këshillat e disa pedagogëve, të cilët as veten nuk mundën ta këshillojnë, e lëre më dikë tjetër. Dhe as nuk na shkon në mend të hedhim një sy në jetën e Dërguarit Muhammed a.s., i cili ishte shembulli i vetëm dhe i vërtetë në gjithçka, përfshirë edhe në edukim.

Dëgjoni disa metoda edukative që përdorte Muhammedi a.s. dhe aplikojini tek fëmijët tuaj, miqtë dhe të njohurit, dhe do ta vëreni suksesin.

I Dërguari a.s. kur fliste me dikë i kushtonte aq shumë vëmendje dhe përqendrim atij, saqë bashkëbiseduesi ndjente sikur ai ishte personi më i dashur për të. Dhe kjo është e vërtetuar nga hadithi ku Amr ibn As r.a. thotë:

“Kur i Dërguari i All-llahut a.s. fliste, ai i kthehej me fytyrë atij me të cilin fliste dhe i kushtonte vëmendje – edhe nëse ishte njeriu më i keq. Në këtë mënyrë ai fitonte zemrat e atyre njerëzve. Njëherë u kthye me fytyrë nga unë dhe më foli aq mirë saqë mendova se isha njeriu më i mirë. E pyeta: ‘O Dërguar i All-llahut, kush është më i mirë, unë apo Ebu Bekri?’ ‘Ebu Bekri’ – u përgjigj ai. E pyeta përsëri: ‘O Dërguar i All-llahut, kush është më i mirë, unë apo Omeri?’ ‘Omeri’ – u përgjigj ai. E pyeta edhe një herë: ‘O Dërguar i All-llahut, kush është më i mirë, unë apo Uthmani?’ ‘Uthmani’ – u përgjigj ai. Kur m’u përgjigj kështu, dëshirova të mos e kisha pyetur fare.”

Shikoni këtë rast dhe pastaj kujtoni veten dhe marrëdhënien tuaj me të tjerët, me fëmijët tuaj, dhe do të kuptoni plotësisht pse nuk arrijmë sukses në fushën e edukimit dhe mësimit.

Për të kuptuar edhe më mirë, dëgjoni një histori.

Duke u kthyer nga puna, një baba e pa djalin e tij gjashtëvjeçar që po qëndronte para derës së hyrjes, dhe pasi u përshëndetën, djali e pyeti:

– Baba, a mund të të pyes diçka?

– Po, sigurisht bir, më thuaj… – tha babai.

– Baba, sa fiton ti për një orë?

– Pse të intereson kjo? – tha babai pothuajse i zemëruar.

– Vetëm dua ta di, të lutem përgjigju!

Më në fund babai i tha se fitonte 50-euro në orë. Dëgjoi këtë dhe djali ul kokën me trishtim, por mblodhi guxim, e pa babain dhe e pyeti:

– Baba, a mund të më huazosh 25 euro?

Babai, tani dukshëm i zemëruar, filloi të bërtasë se nëse ky ishte arsyeja që po e priste para derës, duhet të turpërohej. Ti kërkon para për budallallëqe fëmijësh, sikur unë punoj shumë çdo ditë për budallallëqe dhe lodra fëmijësh… E dërgoi djalin direkt në dhomë dhe i tha të mendojë për sjelljen e tij egoiste. Djali u largua qetë, pa fjalë, ndërsa babai vazhdoi të ankohej dhe të habitej për sjelljen e fëmijëve të sotëm.

Pas një kohe, duke kuptuar se e kishte tepruar, shkoi në dhomën e djalit dhe tashmë i turpëruar pyeti:

– Biri im, a flenë?

– Jo, baba, jam i zgjuar… – u përgjigj djali.

– Më fal, ndoshta isha shumë i ashpër me ty. Për çfarë të duhen konkretisht ato 25 euro? Mandej tha, nuk ka rëndësi, urdhëro merri paratë! – dhe ia ofroi paratë birit.

– Faleminderit shumë, baba!

I kënaqur, djali nxori me dorë një tufë tjetër me para të përthyera nga poshtë e nga çanta e lapsave. Tani babai u zemërua edhe më shumë duke parë se djali kërkonte para, por kishte më shumë se sa i duhej një fëmije kaq të vogël.

– Jo, nuk kisha mjaftueshëm, baba! – u arsyetua djali. – Tani kam saktësisht 50 dollarë. A mund të blej një orë nga koha jote? Nëse mundesh, të lutem të vish një orë më herët nesër, dëshirojë të hamë darkë bashkë!

Çfarë bëri babai – imagjinojeni vetë. Përfundoni vetë historinë ashtu si mendoni se duhet të përfundojë, por mos harroni:

Nëse vdesim nesër, kompania apo njerëzit për të cilët punojmë do të na zëvendësojnë shumë lehtë dhe shpejtë. Por familja dhe miqtë që mbeten pas nesh – ata do të na mungojnë deri në fund të jetës!

Një nga metodat e Dërguarit në edukimin dhe rritjen e njerëzve ishte që ai kurrë nuk i përmendte njerëzit me emër, edhe pse shpesh e dinte për kë bëhej fjalë. Mënyra e tij për t’u përballur me një problem apo shkelje që ishte bërë, ishte që ai ngjitej në minber dhe fliste kështu: “Ka njerëz që veprojnë kështu dhe ashtu” ose “Çfarë mendojnë ata që veprojnë kështu dhe ashtu.” Në këtë mënyrë i Dërguari e trajtonte problemin pa turpëruar askënd.

Prandaj edhe unë do të veproj kështu për të treguar për disa njerëz dhe një problem të caktuar, dhe ata le ta njohin veten dhe le të përmirësohen.

Kur erdha në këtë xhami, më afroheshin disa njerëz dhe thoshin se në xhaminë tonë duhet të mbahen mësime për lexim të Kur’anit, dhe unë i dëgjova, dhe tashmë prej dy vjetësh veprojë kështu, dhe prej një viti e gjysmë tubimin e ligjëratave javore, por ajo që është e trishtë është se po ata njerëz që sugjeronin, nuk vijnë.

Gjithashtu më afroheshin disa njerëz që thoshin se duhet të falet namazi i natës, sepse është sunnet. I dëgjova dhe tashmë prej një viti e gjysmë çdo muaj në këtë xhami falim namaz nate, por ajo që është e trishtë është se ata njerëz që e propozuan këtë, nuk vijnë kurrë në atë namaz nate.

Gjithashtu, sapo erdha në këtë xhami mora kritika nga disa njerëz, dhe me siguri vërejtjet e njëjta i ka marrë edhe hoxha para meje, se xhamia është e mbyllur, dhe duhet të jetë e hapur që të mund të falet kurdo që duan. Pas një kohe e pranova këtë kritikë dhe e lashë xhaminë hapur 24 orë. Por çudi! Ata që kritikuan nuk vijnë të falin namaz vullnetar, madje as ato farz. Duket se u ka kaluar dëshira për t’u falur, për të mësuar Kur’an, për të dëgjuar ligjërata, prandaj nuk vijnë. Ose, çka është ndoshta edhe më keq, ata që nga fillimi donin vetëm të krijonin rrëmujë, dhe kur panë që nuk po u del, u tërhoqën.

O ju që u njohët në këto fjalë, injoroni kritikën time duke ardhur në namazin e ardhshëm, si atë të ditës ashtu edhe atë të natës. Injoroni këtë kritikë duke ardhur në leximin e ardhshëm të Kur’anit dhe ligjëratën e ardhshme.

I Dërguari kishte edhe shumë metoda edukative, por për shkak të mungesës mjaftohemi me kaq, dhe nëse do All-llahu, do ta vazhdojmë këtë temë.

Redaksia,
[xhamiarabia.info]