Falenderimi i takon All-llahut, xh.sh., Zotit të të gjitha botëve. Le të dërgojmë salavate dhe selame për të dërguarin e fundit të All-llahut dhe të dashurin e Tij, Muhammedin, s.a.v.s., mbi shokët e tij, familjen dhe mbi të gjithë robërit e mirë të All-llahut.
Vëllezër, e përkujtoj veten dhe juve për besimin e fortë në All-llahun, në melekët e Tij, në librat, në Pejgamberët, në Ditën e Gjykimit dhe në përcaktimin e All-llahut.
Të dashur vëllezër, jetojmë në kohë kur njeriu më parë e krijon një profil sesa karakterin e tij, më parë e shkruan ose jep një koment se sa ta dëgjon tjetrin, dhe më parë merr përsipër ta interpretojë fenë se sa të mësojë seriozisht.
Sot të gjithë dinë diçka. Të gjithë kanë ndonjë mendim. Të gjithë kanë ndonjë video, citat apo “provë”. Dhe më e keqja, sa më pak të dinë, aq më sigurt flasin. Në këtë kontekst një dijetar islam ka thënë: “Nuk jam futur kurrë në debat me një të paditur pa u mundur nga ai. Dhe nuk jam futur kurrë në debat me një dijetar pa arritur së bashku në të vërtetën.”
Njerëzit dikur frikësoheshin të flisnin për fenë. Sot njerëzit frikësohen vetëm që të mos ndërpriten ndërsa flasin.
Dhe nuk është problem që njeriu nuk di. Askush nuk ka lindur i ditur. Problemi është kur njeriu fillon të mësojë pak dhe mendon se është bërë muftiu i lagjës apo qytetit së vet; i lexon dy hadithe dhe tri postime në internet, dëgjon disa ligjërata dhe menjëherë ndjen nevojë të gjykojë çfarë është në sunnet dhe çfarë jo, kush është i mirë dhe kush jo.
Ndërsa po flas për këtë, më kujtohet një histori. Thuhet se një gjyshe pyeti një dijetar për një rregull, dhe ai i tha: “Dëshiron të të përgjigjem sipas sunnetit apo sipas Ebu Hanifes?” Dhe gjyshja e pa dhe qetësisht i tha: “Sipas Ebu Hanifes, biri im… ai e njeh më mirë sunnetin se ti.”
Shikoni, vëllezër, një gjyshe e thjeshtë, pa ndonjë shkollë të veçantë, ka më shumë urtësi se një njeri që ka studiuar libra e libra, por është i mbushur me vetëbesim. Një fjali e gjyshes dhe gjithë debati shkon dëm. Shkon mendjemadhësia dhe nevoja për t’u dukur më i mençuri.
Sot shumë flasin për sunnetin sikur ta kishin zbuluar dhe studiuar ata, harrojnë se para tyre kanë jetuar njerëz që e kanë ruajtur dhe përcjellur fenë deri tek ata. Njerëz që e kanë kaluar gjithë jetën në mësim, adhurim, mendim, verifikim hadithesh, kuptim të Kur’anit dhe që nga frika mos gabojnë, ndonjëherë heshtnin edhe kur e dinin përgjigjen.
All-llah, xh.sh., thotë:
فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ
“Pyetni të diturit, nëse nuk dini.” [En-Nahl, 43]
All-llahu nuk tha: “Hape internetin dhe gjyko vetë.” Nuk tha: “Dëgjo një video pesë minutëshe dhe vendos.” Por: “Pyetni të diturit.” Sot ka ardhur koha që njeriu që nuk ka lexuar dy libra seriozë për fenë, të gjykojë me më të diturit se ai, t’i korrigjojë të gjithë dhe të sillet sikur islami ka filluar prej tij.
Prandaj të parët tanë kishin një cilësi që sot rrallë takohet: dinin të heshtnin për gjërat që nuk ishin në fushëveprimin e tyre.
Dhe e dini çfarë është interesante? Nuk është kot që All-llahu e bëri fëmijën dy vjet pa folur. Pse? Sepse dëgjon. Shikon. Mëson. Së pari dëgjon nënën. Pastaj dëgjon babanë. Pastaj dëgjon njerëzit rreth vetes. Dhe më pas fillon të flasë.
El-Gazali na mësoi shumë kohë më parë një gjë të madhe që sot shumë e anashkalojnë kur bëhet fjalë për njohuri dhe pedagogji.
Njohuria nuk hyn tek njeriu menjëherë apo brenda natës. Ajo shkon ngadalë, me radhë, si kur ndërton një shtëpi, nuk mund të vendosësh çatinë para themelit, mureve dhe shtyllave. El-Gazali thotë se njeriu duhet së pari të mësojë të heshtë. Sepse ndërsa hesht fillon të vërejë atë që më parë nuk e kishte parë. Pastaj duhet të mësojë të dëgjojë. Dhe ai që di të dëgjojë, fillon t’i kuptojë njerëzit, fenë dhe jetën. Pas kësaj vjen mësimi i vërtetë, jo ai sipërfaqësor që njeriu lexon dy rreshta, dy-tre hadithe, dëgjon një ligjëratë dhe mendon se e kuptoi gjithçka; por mësimi shumëvjeçar, leximi, studimi… që e ndryshon njeriun nga brenda. Dhe kur mëson diçka vërtet, atëherë fillon ta zbatojë në jetën e përditshme. Sepse njohuria që nuk shihet në sjellje, që nuk shihet në jetën e përditshme, më shumë ngjan me një barrë sesa me dobi. Dhe vetëm atëherë, pas heshtjes, dëgjimit, mësimit dhe zbatimit, njeriu ka të drejtë të flasë dhe të këshillojë të tjerët.
E sot, ne duam menjëherë të kalojmë në shkallën më të lartë. Menjëherë duam të flasim. Menjëherë duam të interpretojmë. Menjëherë duam të gjykojmë. Ndërsa nuk ka themel! Nuk ka bazë!
I Dërguari i All-llahut, a.s., ka thënë: “All-llahu nuk do ta shkatërrojë dijen duke e nxjerrë prej zemrave të njerëzve, por dijenia do të zhduket me vdekjen e dijetarëve. Dhe kur të zhduken dijetarët, njerëzit do t’i marrin të paditurit për udhëheqësit e tyre, dhe do ti pyesin ata, e ata do të japin fetva (përgjigje) pa dijeni. Kështu do të shkojnë vetë dhe të tjerët në humbje.”
Vëllezër, nuk është turp të thuash: “Nuk di.” Turp është të flasësh për fenë e All-llahut pa dijeni.
Edhe dijetarët më të mëdhenj islam kanë thënë “nuk e di”. Thuhet se Imam Maliku, një nga dijetarët më të mëdhenj në historinë islame, është pyetur për 40 probleme. Për 36 është përgjigjur “Nuk e di!”, dhe vetëm për 4 ka dhënë përgjigje.
Nuk është turp të pyesësh. Turp është të bëhesh i ditur, ndërkohë që librat që ke janë vetëm ato të klasës së katërt. Prandaj sot më shumë se kurrë kemi nevojë për përulësi. Duhet të heshtim dhe të dëgjojmë më shumë sesa të flasim. Ta përmirësojmë veten më shumë sesa të tjerët. Të respektojmë më shumë dijen dhe dijetarët, dhe më pak mendimin personal. Sepse feja nuk është garë se kush flet më fort dhe më bindshëm. Feja është rrugë drejt së vërtetës, rrugë për përmirësimin e vetvetes.
I lutem All-llahut, xh.sh., që të na dhurojë dije të sinqertë, zemër të qetë dhe gjuhë që nuk do të flasë përveç asaj që është e mirë.
Amin!
Përshtati: Redaksia
[xhamiarabia.info]