Në mesin e lutjeve të të Dërguarit s.a.v.s. është regjistruar edhe një dua që lidhet me një pjesë të rëndësishme të jetës sonë të përditshme – mëngjesin.
Ai i lutej All-llahut:
“O All-llah, bekoje Ummetin tim në zgjimin e hershëm!”
(E shënojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.)
Shembulli praktik i kësaj ishte vetë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s.. Kur e dërgonte ushtrinë apo njësinë e zbulimit, ai i niste ato në fillim të ditës. Sahër el-Gamidiu r.a., transmetuesi i këtij hadithi, ishte tregtar. Ai i dërgonte mallrat e tij herët në mëngjes dhe, si rezultat, pasuria e tij u shtua dhe u begatua.
Është bukur të dish se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. lutej për bereket në atë kohë të ditës që shumë prej nesh e kalojnë lehtësisht në gjumë.
Mëngjesi e ka qetësinë e vet.
Rregullin e vet.
Dhe lutjen e të Dërguarit s.a.v.s. për këtë Ummet.
Prandaj, ia vlen të përpiqemi ta fillojmë ditën më herët.
Nuk është e domosdoshme që njeriu të fitojë më shumë orë në ditë. Nganjëherë mjafton që All-llahu t’i japë bereket asaj që ai tashmë e ka.
Redaksia