Salavatet si zgjidhje për të gjitha problemet

Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Imani përbëhet nga gjashtëdhjetë e disa pjesë, dhe turpi është pjesë e imanit.” (Buhariu)

Një nga pjesët e imanit është edhe respekti ndaj Muhammedit s.a.v.s..

Se si sahabët e kanë nderuar dhe respektuar Muhammedin a.s., më së miri na e përshkruajnë fjalët e Urve ibën Mes’udit es-Sekafit, r.a.:

“O populli im, pasha All-llahun, kam shkuar si i dërguar te shumë sundimtarë, si Kajseri, Kisra dhe Nexhashiu. Por nuk kam parë asnjë sundimtar që ta respektojnë dhe nderojnë ndjekësit e tij ashtu siç e respektojnë dhe e nderojnë sahabët Muhammedin s.a.v.s.. Kur ai flet, ata e dëgjojnë me kujdes. Kur u urdhëron diçka, menjëherë e zbatojnë. Kur flasin në praninë e tij, e ulin zërin dhe nuk mund ta shikojnë gjatë në fytyrë nga respekti për të.”

Vëllezër, kështu e vlerësonin Muhammedin a.s. ata që All-llahu i nderoi ta takonin robin më të zgjedhur të Tij dhe të bashkëbisedonin me të. Po ne, si do ta shprehim sot respektin tonë ndaj Pejgamberit Muhammed s.a.v.s.? A do ta dëshmojmë respektin duke djegur flamujt e atyre që nuk e duan atë? Jo. A do ta shprehim respektin duke u grindur pafundësisht në internet me ata që e sulmojnë? Jo.

Vëllezër, ne jetojmë në kohën kur Pejgamberi a.s. nuk është më në mesin tonë. Ai ka ndërruar jetë. Por jetojmë në kohën kur i kemi përmbledhjet e haditheve të tij – fjalët dhe veprat e tij – përmes të cilave mesazhi i Pejgamberit s.a.v.s. do të jetojë derisa të ketë botë e kohë. Prandaj, mos lejoni që të ketë shtëpi pa Kur’an, fjalën e All-llahut, dhe pa përmbledhjet e haditheve, fjalët e Pejgamberit. Le t’i lexojmë dhe t’i dëgjojmë hadithet e Pejgamberit s.a.v.s., e pastaj ta zbatojmë atë që na ka porositur ai. Vetëm kështu do ta dëshmojmë drejt respektin e vërtetë ndaj tij.

Gjë tjetër me shumë rëndësi me të cilën e dëshmojmë respektin tonë ndaj Pejgamberit s.a.v.s., që në xhamitë tonë, falë All-llahut, është gjithnjë e më e pranishme, dërgimi i salavateve mbi Pejgamberin s.av.s. sa herë që e dëgjojmë emrin e tij.

All-llahu xh.sh. thotë:
إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ ۚ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا
“Me të vërtetë All-llahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë salavate mbi Pejgamberin. O ju që keni besuar, dërgoni salavate mbi të dhe përshëndeteni me përulje.” [El-Ahzab, 56]

Pejgamberi Muhammed s.a.v.s. thotë:
“Kush më dërgon një salavat, All-llahu do t’i dërgojë atij dhjetë salavate, do t’i fshijë dhjetë vepra të këqija dhe do ta ngrejë për dhjetë shkallë.”

Siç po e shihni, përfitimi në Ahiret nga dërgimi i salavateve është i madh, por salavati nuk është i dobishëm vetëm për Ahiretin, ai është i dobishëm edhe për këtë botë. Sa herë që jeni të shqetësuar, të trishtuar, apo keni ndonjë problem, filloni me zemër të thoni:
All-llahummme sal-li ala Muhammedin ve ala ali Muhammed, dhe do të shihni se si problemi juaj do të zgjidhet. Pasha All-llahun, unë vetë e kam përjetuar disa herë vërtetësinë e këtyre fjalëve, dhe ju ftoj dhe ju që të bindeni. Por para kësaj, largoni ushqimin dhe fitimin haram, sepse një nga dënimet në këtë botë për atë që ushqehet me ushqim dhe fitim haram është se do të lutet, por lutja e tij nuk do të pranohet.

Si dëshmi për këtë, do t’ua tregoj një histori të vërtetë nga e kaluara e largët:
Thuhet se në mesin e brezave të parë jetonte një njeri që kishte borxh të madh – 500 dinarë. Kur erdhi koha e pagesës, huadhënësi kërkoi ta kthente borxhin, por ai nuk mundej. Për këtë shkak shkoi tek një tregtar dhe i kërkoi hua 500 dinarë për ta kthyer borxhin e mëparshëm. Tregtari ia huazoi paratë dhe ai e ktheu borxhin. Por shqetësimet nuk mbaruan aty. Kur erdhi koha ta kthente borxhin e tregtarit, ai nuk kishte asnjë dinar. Duke mos pasur mundësi ta kthente borxhin, tregtari e paditi te gjykatësi, i cili e dënoi me burg deri sa ta kthente borxhin. Njeriu i kërkoi gjykatësit që ta linte të shkonte në shtëpi të merrte hallallëk nga familja e tij. Gjykatësi e pyeti se çfarë garancie kishte që do të kthehej. Ai heshti pak, mandej tha:
“Garancia ime është Pejgamberi i All-llahut, a.s.. Nëse nuk kthehem, dëshmo se unë nuk i përkas Ummetit të Muhammedit, s.a.v.s.”

Duke e kuptuar rëndësinë e fjalëve, gjykatësi e liroi. Kur njeriu shkoi në shtëpi dhe i tregoi gruas së tij çfarë kishte ndodhur, ajo i tha:
“Nëse Pejgamberi, sa.v.s., është garancia jote, atëherë sonte le t’i dërgojmë sa më shumë salavate Pejgamberit s.a.v.s.!”

Çfarë gruaje e mirë! Kështu ata një pjesë të mirë të natës e kaluan duke lexuar salavate. Me mëshirën e All-llahut, njeriu në ëndërr e pa Pejgamberin s.a.v.s., i cili i tha:
“Shko tek valiu (guvernatori), përshëndete nga unë dhe kërko prej tij që të ta kthejë borxhin! Nëse nuk të beson, thuaji se ke dy dëshmi.”
“Cilat janë ato dëshmi, o Pejgamber i All-llahut?” – pyeti njeriu në ëndërr.
Pejgamberi a.s. i tha:
“Guvernatori çdo natë dërgon 1000 salavate për mua. Natën e kaluar dërgoi më pak…”
Të nesërmen njeriu shkoi tek valiu dhe ia tregoi ëndrrën. Valiu e mori mesazhin nga ëndrra e treguar dhe u përlot, sepse askush nuk e dinte që ai ka dërguar më pk salavate atë natë. I dha njeriut 500 dinarë nga Bejtul-mali dhe edhe 2,500 dinarë nga arka e tij. Pastaj njeriu me gëzim shkoi tek gjykatësi për ta kthyer borxhin. Kur hyri në sallën e gjyqit, e takoi gjykatësin të buzëqeshur, i cili i tha:

“Eja këtu! Për shkak teje në ëndërr e pashë Pejgamberin s.a.v.s.. i cili më tha: ‘Nëse i kthen borxhin këtij njeriu, ne do të kujdesemi për borxhin tënd në Ditën e Gjykimit.’ Prandaj merr nga unë 500 dinarë dhe ktheje borxhin.”
Sapo njeriu mori paratë, dikush trokiti në derë – ishte tregtari. Sapo iu afrua, filloi ta përqafonte dhe puthte duke i thënë:
“Për shkak të teje e pashë Pejgamberin s.a.v.s. në ëndërr. Ai më tha: ‘Nëse ia fal borxhin këtij njeriu, edhe ty do të të falet në Ditën e Gjykimit.’ Prandaj ja edhe 500 dinarë për ty.”

Kështu njeriu hyri në sallën e gjykatësit me 500 dinarë borxh, ndërsa u kthye në shtëpi pa borxh dhe me 4,000 dinarë fitim.

Vëllezër, edhe ne mund të jemi në fitim nëse shpesh dhe me sinqeritet dërgojmë salavate mbi Pejgamberin s.a.v.s..

O Zoti ynë, të lutemi, na bëj nga ata që në Xhennet do të jenë në shoqëri të pejgamberëve, shehidëve dhe njerëzve të mirë.

Redaksia,
[xhamiarabia.info]