Besimi islam e hedh poshtë teshbihun (krahasimin e All-llahut me krijesat) dhe texhsimin (atributimin e trupit All-llahut), dhe ekziston ixhma (konsensus) i ehli sunetit se çdo person që beson diçka të tillë automatikisht del nga Islami.
Si mundet që grupi pseudo-selefi (vehabi-harixhij), të prira drejt texhsimit dhe teshbihut, të mendojnë se ligjet e botës së krijuar dhe vetitë fizike që vlejnë për krijesat, mund t’i atribuohen All-llahut, xhel-le shanuhu? All-llahu i Madhërishëm ka ekzistuar para hapësirës, kohës dhe të gjitha krijesave, dhe nuk është i kufizuar nga asgjë që ka krijuar.
Besimi se All-llahu ka trup, organe ose gjymtyrë në kuptimin e vërtetë dhe të mirëfilltë, se ulet në karrige, se e përfshinë hapësira, ose se i nevojitet ajo që u nevojitet krijesave, përbën texhsim dhe teshbih, gjë që është në kundërshtim me akiden e ehli sunetit vel xhematit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Asgjë nuk është si Ai” [Esh-Shura, 11], duke mohuar çdo ngjashmëri midis All-llahut dhe krijesave të Tij.
Imamët e ehli sunetit, ndër ta imami i madh Ebu Hanife, Ebu Mensur el-Maturidiu, Ebu Hasan el-Esh’ariu, si dhe shumë dijetarë të medhhebit hanefi, maliki, shafi’i dhe hanbeli, e kanë hedhur poshtë besimin që All-llahut i atribuon trupësi, drejtim, vend apo lëvizje në mënyrën që u përket krijesave. Rruga e saktë është të pohohet ajo me të cilën All-llahu e ka përshkruar Veten dhe me të cilën e ka përshkruar i Dërguari i Tij, salallahu alejhi ue selem, pa teshbih, pa texhsim, pa pyetur “si” (bilā kejf) dhe pa i shtrembëruar kuptimet e shpalljes.
Prandaj, është obligim për çdo musliman të besojë se All-llahu është absolutisht i ndryshëm nga të gjitha krijesat, se nuk është trup, nuk është i kufizuar nga hapësira, nuk varet nga Arshi dhe as nga ndonjë krijesë tjetër, por është i Përjetshmi, i Pavaruri dhe i Përkryeri, i lartësuar mbi të gjitha mangësitë dhe cilësitë e krijesave.
Gjithsesi, shpallja e grupeve të tëra jobesimtarë nuk lejohet pa plotësimin e kushteve sheriatike dhe pa i hequr të gjitha pengesat për tekfir, dhe kjo është çështje që i takon dijetarëve të kualifikuar islamë dhe gjykatave, dhe assesi individëve.
Redaksia,
[Xhamiarabia.info]