Çfarë thoshte harixhiu Muhammed ibn Abdulvehhabi?!

Ndërsa sëmundja e tekfirit çdo ditë po merr gjithnjë e më shumë përmasa dhe po shkakton shumë dëm në botën muslimane, detyrohemi që ne si besimtarë të pyesim ku i marrin këto ide ekstremistët dhe si i justifikojnë krimet e tyre duke i lidhur me burimet islame.

Në vend që të merremi me pasojat, që zakonisht ndodh, duhet zbuluar dhe eliminuar shkaqet. Me fjalë të tjera, ta thajmë moçalin që të mos përballemi vazhdimisht me mushkonjat.

Problemi i grupeve ekstremiste nuk mund të zgjidhet vetëm me forcë. Është e nevojshme ta tregojmë prejardhjen ideologjike të këtyre grupacioneve dhe kundërshtimet e tyre me mësimet islame, në mënyrë që, mbi të gjitha, rinia muslimane të largohet nga kjo rrugë e gabuar. Kjo kërkon përpjekje të mëdha, dialog, ligjërata, tekste dhe studime. Në këtë tekst do t’i tregojmë vetëm disa ide dhe qëndrime që e përbëjnë bazën ideologjike për anëtarët e grupeve ekstreme dhe tekfire.

Çfarë thoshte Muhammed ibn Abdulvehhab?! Një nga burimet kryesore për mësimet vehabiste është vepra „Thesarë të shkëlqyer të përgjigjeve nexhdiane“ (Ed-Durer Es-Senijje fil-exhvibe en-nexhdijje – الدرر السنية في الأجوبة النجدية). Vepra Ed-Durer Es-Senijje përmban përgjigje, letra dhe mesazhe të Muhammed bin Abdul-Vehhabit, djemve të tij, nxënësve dhe dijetarëve që më vonë i ndoqën mësimet e tij. Këto janë përmbledhur në 16 vëllime nga Abdurrahman bin Muhammed bin Kasim el-‘Asimi en-Nexhdi. Ai është gjithashtu i pari që i ka përmbledhur fetvatë e Ibn Tejmijjes, të cilat i ka përmbledhur në 37 vëllime. Në parathënien e librit, El-Asimi thekson se pas Imam Ahmed bin Hanbelit, Zoti i Lartësuar përmes Ibn Tejmijjes “ka ringjallur fenë pas zhdukjes së saj dhe e ka rilindur udhëzimin e përfaqësuesve të të gjithë profetëve pas perëndimit të diellit të saj.” Më pas thotë se pas Ibn Tejmijjes dhe nxënësve të tij „janë ndërprerë litarët e islamit…“ deri në shekullin e 12-të të Hixhrit, kur erdhi Muhammed ibn Abdulvehhab. (Ed-Durer es-senijje fi el-exhvibe en-nexhdijje, Rijad, 1996, vëll. 1, fq. 16)

Fjalët e përdorura janë shumë të rënda, pasi që 7-8 shekuj të historisë së islamit i cilësohen si periudhë e mosbesimit, mohimit, humbjes dhe errësirës, duke nënvlerësuar punën dhe veprën e një numri të madh dijetarësh dhe duke i klasifikuar brezat e muslimanëve të larguar nga feja. Në të vërtetë, këto fjalë e shpjegojnë thelbin e përmbajtjes së kësaj vepre të gjerë.

Recensentët e kësaj vepre janë:

1. Muhammed ibn Abdul-latif ibn Abdurrahman ibn Hasana ibn Muhammed ibn Abdulvehhab Alu-sh-Shejh (1857-1948), muftiu saudian dhe Shejh Bin Bazit;

2. Muhammed ibn Ibrahim ibn Abdul-latif ibn Abdurrahman ibn Hasana ibn Muhammed ibn Abdulvehhab Alu-sh-Shejh (1893-1969), muftiu saudian (1953-1969).

Muslimanët e tjerë që nuk mendojnë si ai janë jobesimtarë (kafir): Kur analizohen fjalët e Muhammed bin Abdul-Vehhabit dhe nxënësve të tij, patjetër arrijmë në përfundimin se ata e konsiderojnë vetëm grupin e tyre në rrugë të tyre dhe se çdo kush që devijon nga mësimi dhe bindjet e tyre nuk është musliman.

Muhammed bin Abdul-Vehhabi identifikon katër kategori njerëzish që i konsideron jobesimtarë dhe kundër të cilëve lufton:

  1. Ata që e kuptojnë se besimi në Njësinë e All-llahut është feja e vërtetë dhe se besimet në gurë, dru dhe njerëz janë shirk, por nuk largohen nga shirku.
  2. Ata që e kuptojnë tevhidin, por fyejnë fenë e Pejgamberit dhe lavdërojnë ata që adhurojnë njerëz të tjerë.
  3. Ata që e pranojnë tevhidin dhe largohen nga shirk, por urrejnë ata që e pranojnë tevhidin dhe mbështesin shirkun.
  4. Ata që janë të pastër nga këto, por luftojnë mbështetësit e tevhidit për shkak të armiqësisë së banorëve të vendit të tyre ndaj tyre, duke mos mundur të largohen prej aty.

(Kjo përmbledhje bazohet në veprën “Ed-Durer es-senijje fi el-exhvibe en-nexhdijje”, Rijad, 1996.)

Gjithashtu, ai mendon se para shfaqjes së „dawes“ së tij, as ai, as mësuesit e tij, as ndonjë musliman tjetër nuk e dinin kuptimin e fjalës La ilahe illellah. Për më tepër, sipas tij, kushdo që pretendon se dikush e dinte kuptimin e La ilahe illellah para shfaqjes së daves së tij, trillojnë dhe gënjejnë! Kjo do të thotë se ai e pranon se është autodidakt në daven e tij, pra nuk e ka mësuar nga askush, sepse mësuesit e tij ishin „injorantë“, pasi nuk e dinin as kuptimin e fjalës La ilahe il-lellah.

Muhammed ibn Abdulvehhab edhe për vete thotë se, megjithëse ishte mysliman dhe studioi shkencat islame, nuk e njihte islamin dhe kuptimin e fjalëve La ilahe Il-lallah, ashtu si as mësuesit e tij dhe as dijetarët e tjerë.

“Po ju flas për veten time, me betimin e All-llahut, përveç Tij nuk ka tjetër zot, unë e kam mësuar shkencën dhe ai që më njihte ishte i bindur se unë kam dijeni, por në atë kohë nuk e dija kuptimin e fjalëve La ilahe Il-lallah dhe nuk njihja islamin. As mësuesit e mi, asnjëri prej tyre nuk e dinte këtë. Dhe kushdo që nga dijetarët e ‘Aridës pretendon se ka njohur kuptimin e fjalëve La ilahe Il-lallah ose kuptimin e islamit para kësaj kohe, ose e pretendon për ndonjë nga mësuesit e tij, ai gënjen dhe trillon.” (Ed-Durer es-senijje fi el-exhvibe en-nexhdijje, Rijad, 1996, vëll. 10, fq. 51)

Dijetarët e Mekës, Medinës, Basrës, Irakut, Jemenit, d.m.th. shumicën e madhe të tyre që nuk e ndoqën atë, ai i quajti “mushrikë”, fenë e tyre “shirk”, ndërsa myslimanët e viseve osmane i quajti “mushrikë”.”

Shumica muslimanëve janë idhujtarë

Muhammed bin Abdul-vehhab thekson se mushrikët (muslimanët) e kohës së tij janë në një humbje më të madhe se mushrikët dhe jobesimtarët e kohës së Pejgamberit, s.a.v.s., edhe pse shumë prej tyre e falin namazin dhe agjërojnë. Ai konstatoi se shirku ka mbizotëruar në botë dhe tha:

„Nëse e keni kuptuar se shirku, që është një lloj adhurimi ndaj statujave dhe që e largon njeriun nga islami, e ka mbushur tokën dhe detin, është përhapur dhe është shtrirë, madje shumë prej atyre që e bëjnë atë falin natën, agjërojnë ditën dhe e konsiderojnë veten të devotshëm, atëherë çfarë ju ndodh? Pse nuk ua shpjegoni njerëzve se ky është mosbesim që i largon nga feja?“ (Ed-Durer es-senijje fi el-exhvibe en-nexhdijje, Rijad, 1996, vëll. 2, fq. 42)

Lufta kundër hilafetit islam

Banorët e Mekës dhe Hilafetit Osman i konsiderojnë mushrikë dhe jobesimtarë: Një nga pikëpamjet e rëndësishme të mësimit të tyre ishte edhe lufta kundër hilafetit Islam. Në këtë kuptim është thënë: „Është detyrë të luftosh kundër atij që nuk i shpall mushrikët jobesimtarë, ose dyshon në mosbesimin e tyre, sepse kjo është nga gjërat që e shkatërrojnë islamin. Çdo njeri që është i tillë ka bërë kufër dhe lejohet ta vrasësh e t’ia marrësh pasurinë e tij dhe është obligim të luftosh kundër tyre derisa të shpallen jobesimtarë…“

„Ai që nuk i konsideron jobesimtarë mushrikët e shtetit turk dhe adhuruesit e varreve, si banorët e Mekës dhe të tjerët që adhurojnë njerëz të shenjtë dhe që e ndryshon besimin në Njësinë e All-llahut me shirke, dhe sunnetin e Pejgamberit, s.a.v.s., me bi’date, ai është jobesimtar si ata, edhe nëse i urren ata dhe fenë e tyre, dhe i do muslimanët dhe islamin.“ (Ed-Durer es-senijje fi el-edxhibe en-nexhdijje, Rijad, 1996, vëll. 9, fq. 291

Lufta kundër Shtetit Osman dhe banorëve të tij jobesimtarë është „një nga pasuritë më të mëdha që të shpëtojnë nga Zjarri“: „Lufta kundër këtij shteti dhe turqve, evropianëve dhe jobesimtarëve të tjerë është një nga pasuritë më të mëdha që të shpëtojnë nga Zjarri.“ (Ed-Durer es-senijje fi el-exhvibe en-nexhdijje, Rijad, 1996, vëll. 9, fq. 23)

Djemtë e Muhammed ibn Abdulvehhabit thanë se është detyrë të luftohet kundër mushrikëve të Jemenit, Tihames, Mekës, Medinës, Sham-it, Irakut dhe viseve të tjera osmane. Për më tepër, sipas tyre, nuk është detyrë t’i thërrasësh ata në islam, sepse ata tashmë kanë dëgjuar për islamin!

„Sa i përket atij që i ka arritur thirrja jonë për besimin në Njësinë e All-llahut dhe për zbatimin e ligjeve të Tij, por refuzon t’i bindet, qëndron në shirk dhe lë ligjet e islamit, atë e konsiderojmë jobesimtar dhe luftojmë kundër tij, e sulmojmë, madje edhe në territorin e tij. Të gjithë ata kundër të cilëve kemi luftuar, e kanë dëgjuar thirrjen tonë dhe ne e dimë dhe besojmë se banorët e Jemenit, Tihames, Dy Haremeve, Sham-it dhe Irakut e kanë dëgjuar thirrjen tonë dhe kanë kuptuar se ne thërrasim vetëm në robërimin ndaj All-llahut dhe luftojmë kundër asaj që shumica e njerëzve veprojnë, që është shirk ndaj All-llahut…“

Më pas thonë: „Të tillët nuk është obligim t’i thërrasësh në fe para luftës, sepse Pejgamberi, s.a.v.s., i sulmoi Beni Mustalik dhe luftoi kundër banorëve të Mekës pa paralajmërim apo thirrje.“ (Ed-Durer es-senijje fi el-exhvibe en-nexhdijje, Rijad, 1996, vëll. 9, fq. 253)

Përfundim: Për këtë arsye, juristi i njohur hanefij Ibn Abidin (1784 – 1836) në veprën e tij Reddul-muhtar i klasifikoi ata si të devijuar dhe i krahasoi me harixhijtë, duke thënë:

„Ashtu siç ndodhi në kohën tonë me mbështetësit e Abdulvehhabit, të cilët u shfaqën në Nexhd dhe pushtuan dy Haremet. Ata e ndiqnin medhebin Hanbeli, por besonin se vetëm ata ishin muslimanë dhe se të gjithë ata që nuk e ndiqnin besimin e tyre ishin idhujtarë. Në këtë mënyrë, ata e lejuan vrasjen e ndjekësve të sunnetit dhe të dijetarëve të tyre, derisa All-llahu ua shkatërroi fuqinë dhe qytetet e tyre, duke u dhënë fitoren ushtarëve myslimanë në vitin 1233 (Hixhri).“ (Ibn Abidin, El-Hashija, Dar El-Fikr, Bejrut, 1992, vëll. 4, fq. 262)

Nga ajo që është përmendur më sipër, shihet se idetë që promovonte Muhammed bin Abdulvehhab janë në fokus të ekstremistëve të sotëm dhe u shërbejnë atyre si bazë për t’i përhapur mësimet e tyre dhe për të krijuar trazira mes muslimanëve.

Autor: Hafiz E. Dedić

Përkthim,
[xhamiarabia.info]