Kur i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. fliste për kujdesestarin e vejushës, shpërblimin e përshkroi me fjalë që habisin për madhështinë e tyre: “Ai që kujdeset për vejushën dhe për të varfrin është si muxhahidi në rrugën e All-llahut, ose si ai që falet natën dhe agjëron ditën.” (Ebu Hurejre, r.a., e transmeton. E shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
Le t’u kushtojmë vëmendje fjalëve: “që kujdeset”.
Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për një çast ndihme.
Është ai që merret me nevojat e saj, përpiqet t’ia lehtësojë jetën dhe bëhet mbështetje për të kur ajo ka nevojë. Kështu, komentimet klasike të këtij hadithi e shpjegojnë shprehjen “es-sa’i”.
Vejusha shpesh bart pas vetes shumë gjëra që të tjerët nuk i shohin. Humbje. Kujdes për fëmijët. Shtëpi për të cilën tani duhet të kujdeset vetëm ajo.
Shpenzime që nuk kanë ikur me largimin e burrit. Dhe një sërë vendimesh që tashmë nuk ka me kë t’i ndajë.
I Dërguari I All-llahut s.a.v.s. kujdesin për një grua të tillë nuk e la në margjinat e shoqërisë. Ai ia dha vlerën e ibadetit. Prandaj, nganjëherë rruga drejt shpërblimit të madh fillon me një pyetje shumë të zakonshme: A të duhet diçka?
Redaksia