30/365 — Si i falënderonte njerëzit për të mirat që ia bënin?

Pejgamberi s.a.v.s. na mësoi se e mira që njerëzit na bëjnë nuk kalon pa u vënë re.
Ai tha: “Kush ju bën ndonjë të mirë, ia ktheni  me të mirë. Nëse nuk gjeni me çfarë t’ia ktheni, lutuni për të derisa të mendoni se ia keni shlyer.” (E transmeton Abdullah ibn Omeri, r.a. E shënon Ebu Davudi)

Pra, falënderimi nuk mbetej vetëm një ndjenjë e bukur.
Nëse mundesh — ktheje me të mirë.
Nëse nuk mundesh — lutu për të.
Pejgamberi s.a.v.s. na ka lënë edhe një lutje të shkurtër me të cilën njeriu mund ta falënderojë atë që i bën mirë: “Xhezakellahu hajren.” All-llahu ta shpërbleftë me çdo të mirë.

Për këtë lutje, ai ka thënë se ai që ia thotë atij që i ka bërë mirë, “e ka shprehur falënderimin në mënyrë të plotë.” (E transmeton Usame ibn Zejd, r.a. E shënon Tirmidhiu)
Sa i bukur është ky raport me njerëzit.
Të mos e marrim ndihmën e tjetrit si të mirëqenë.
Të mos e harrojmë mundin e dikujt sapo të mos na duhet më.
Dikush të ndihmoi kur e kishe të vështirë?
Kujtoje në lutje kur të jesh në lehtësi.

Redaksia