Pejgamberi s.a.v.s. tregonte se një burrë, gjatë udhëtimit të tij, u bë shumë i etur, zbriti në një pus dhe piu ujë.
Kur doli prej andej, pa një qen që po vuante nga etja e madhe, aq sa lëpinte dheun e lagësht. Burri mendoi: „Ky qen po vuan nga etja njësoj si unë.“ Kështu, ai zbriti sërish në pus, mbushi këpucën e tij me ujë, e mbajti me dhëmbë që të mos derdhej, u ngjit lart dhe i dha qenit të pinte. Për këtë vepër të sinqertë, All-llahu e fali atë.
Kur sahabët e pyetën nëse do të kishin shpërblim edhe për kujdesin ndaj kafshëve, ai u përgjigj:
„Në çdo krijesë të gjallë ka shpërblim.“
Burri tashmë e kishte shuar etjen e tij. Ai mund të kishte vazhduar qetësisht rrugën. Por vuri re se dikush tjetër pranë tij po vuante dhe u kthye mbrapsht për t’i ndihmuar.
Ndonjëherë, mundësia për të bërë mirë është pikërisht kaq pranë nesh:
– Te një kafshë e etur në rrugë;
– Te një enë me ujë që mund ta lëmë diku për to;
– Te një copë buke apo ushqim që mund ta ndajmë.
Kafsha nuk mund të na falënderojë me fjalë, por All-llahu e sheh çdo grimcë mirësie që shfaqim ndaj krijesave të Tij.
Redaksia